Fëmijët po rriten nëpër kafene, që kur vendin e lulishteve e zaptuan këto të fundit.

"Në kafene e mbaj, s'kam ku ta nxjerr vajzën 5 muajshe", tha një nënë durrsake këtë fund tetori ku i nxehti është njësoj si në verë.

Të tjerë fëmijë rriten po njësoj nëpër kafene pasi parqet dhe lulishtet nuk njihen fare më nga brezi i të vegjëlve, të cilët jetojnë në kohën e modernizimit dhe internetit falas.

Në Durrësin e bukur ku jetojnë mbi 250 mijë banorë, e kjo popullsi disafishohet në verë, vëmendja për këtë element që përbën një kusht themelor për të jetuar, jo që mungon por në mënyrë të dukshme është shpërfilur nga viti në vit, nga një kryebashkiak në tjetrin.

Dikur qyteti ynë bregdetar, me një të kaluar e histori që do e kishte zili çdo qytet europian, mburrej me parqet e gjelbërta dhe lulishtet në çdo kënd të tij, që tani  kanë mbetur vetëm në mendjet e të moshuarve, të cilët jo me pak nostalgji kujtojnë se sa parqe dhe sa lulishte ka patur Durrësi deri pak vite më parë.

Ndërtimet e shumta pa kriter zaptuan çdo hapësirë publike, duke bërë që nga Durrësi i dikurshëm të mbeten vetëm fotografitë si dëshmi e një qyteti të zhdukur.

Ndërtimet pa kriter dhe pa plan ndër vite zhdukën çdo sipërfaqe të gjelbër në Durrës. Dy lulishtet që ndodheshin pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve u zaptuan nga privati.

Bari u zëvendësua me beton, ndërsa pemët me tendat e lokaleve. Të njëjtin fat pësoi edhe lulishtja e lagjes numër 17. Dikur nga më të mëdhat në qytet, sot nuk ka mbetur asgjë.

Edhe lulishtja "1 Maj" në qytetin bregdetar u shkatërrua për t’i hapur rrugën një serë ndërtimesh mbi të. Pemët shumëvjeçare të sheshit “Liria” u zëvendësuan me palma, ndërsa gjelbërimi dhe lulet me pllaka mermeri.

Babëzisë së ndërtimit nuk i shpëtoi as lulishtja pranë Torres Veneciane si dhe ajo në hyrje të portit detar. Vënia në zbatim e projektit “Veliera” rrafshoi gjithçka.

Qytetarët flasin për mungesë të hapësirave shplodhëse dhe argëtuese për të rritur dhe fëmijë. Pa gjelbërim Durrësi po shndërrohet në një qytet që vështirë të jetohet.

K.H.