Qarku i Durrësit ka të ndërthurur, turizmin detar, malor e historiko-kulturor, një veçanti kjo që e bën një nga qarqet me asestet më të çmuara për syrin e turistëve. Por prej vitesh asnë prej institucioneve vendore në Durrës nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë promovimi për turizmin në Durrës, jashtë kufinjve të vendit. Në garën e fortë e në konkurrencën e madhe të tregut për të thithur turistët e Evropës Juglindore, Mali i Zi, ia ka kaluar Shqipërisë, jo sepse ka vijë bregdetare më të bukur se Shqipëria, apo njerëz më të mirë e mikpritës se vendi ynë, as kushte më të mira (sepse investitorët vendas kanë hedhur miliona e miliarda euro në fushën e turizmit, në Shqipëri), por këtu tek ne nuk ka autoritete, nuk ka drejtues që të ndërrmarrin fushata promocioni për industrinë më fitimprurëse të vendit.
Ditët e fundit agjenci të ndryshme turistike në internet ofrojnë çmime të ulëta për të bërë plazh në Mal të Zi në Budva vajtje –ardhje, brenda ditës. Operatorët turistikë raportojnë situatë pozitive dhe rritje të numrit të pushuese të huaj polakë e çekë, në dy vitet e fundit, por numri i tyre është shumë i vogël në raport me kapacitet pritëse që ka qyteti bregdetar i Durrësit me 62 km vijë bregdetare në territorin e tij.
Për më tepër që fushatat denigruese të bëra gjatë viteve të fundit kanë sjellë ulje të pushuesve vendas në plazhet e Durrësit.
Deri tani asnjë strukturë apo institucion në Durrës nuk ka ndërrmarë asnjë fushatë promovuese të resurseve që ka ky qytet, ndërsa fushatat për prishje imazhi kanë qenë të shumta e të përhershme.
K.H.