Gjykata sportive e apelit të Federatës Italiane të Futbollit ka vendosur anulimin e komisionit të disiplinës, që dnënonte me një ndeshje pezullim ish-futbollistin e Inter, Milan që aktualisht aktivizohet te skuadra e Pescara, Selley Muntari. Ky i fundit, u detyrua të lërë fushën e lojës në ndeshjen e javës së kaluar përballë Cagliarit, kur tifozët e ekipit kundërshtar e kanë sulmuar me kore ofensive me përmbajtje diskriminuese raciale.
Muntari u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri i ndeshjes për shkak të protestave që futbollisti adresoi ndaj gjyqtarit për mos ndalimin e ndeshjes në përgjigje të koreve ofensive, duke u detyruar të lërë fushën e lojës. Kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës, ka apeluar klubi i Pescaras në Gjykatën sportive. Tashmë 32-vjeçari që në të kaluarën ka luajtur për Portsmouth dhe Sunderland, do të jetë gati për ndeshjen e radhës që Pescara do të diskutojë në shtëpi ndaj Crotone.