LONDER, 19 shkurt 2013 – Murali “Slave Labour”, vepër e artistit të njohur të grafiteve Banksy, është shkulur nga një mur në Londrën Veriore dhe më pas është nxjerrë në shitje nga një shitës amerikan i artit.
Grafiti në të cilën paraqitet një punëtor duke qepur flamujt e Britanisë së Madhe është shfaqur në ueb-faqen e ankandeve të arteve të bukura në Majami me një çmim prej 450 mijë funtesh (521 mijë euro).
Vepra ishte realizuar në murin e një dyqani në “Wood Green” gjatë vitit 2012, por që nga java e kaluar ai është zhdukur.
Pronari i galerisë, Frederic Thut, ka thënë se veprën e kishte blerë nga një koleksionist “i njohur”, i cili nuk është britanik. Sipas tij, vepra ishte duke u ruajtur në Evropë.
Nga ana tjetër banorët e lagjes “Wood Green” janë revoltuar pas vjedhjes së pikturës. Këshilltari Alan Strickland që banon në këtë lagje ka thënë se vepra artistike ishte “dhuratë” për komunitetin e tij dhe ka nisur një kampanjë për të kthyer përsëri në vendin e vet duke kërkuar nga banorët që t`i shkruajnë e-mail shtëpisë amerikane të ankandeve.
“Banksy u bë i gjallë gjatë vitit të kaluar dhe i habiti të gjithë banorët. Madje njerëzit nga e tërë Londra nisën të vinin këtu për ta parë veprën”, ka thënë ai. “Ne ishim krenarë që e kishim një Banksy në lagjen tonë, prandaj banorët u shokuan kur panë se ai ishte shkulur nga muri”, ka treguar ai.
Sipas tij, komuniteti ndien se kjo vepër arti u ishte dhuruar atyre, kurse tani ajo do të shitet për një shumë mjaft të lartë.
“Jam shumë i inatosur që Banksy ka shkuar. Ne duam që ai të kthehet!”, shprehet ai.
Shumica e punimeve kontroverse nga Banksy – një artist fort i njohur me veprat e tij, por që vazhdon të mbetet misterioz – për shumë kritikë shprehin mesazhe politike, prandaj edhe piktura “Slave Labour” besohet të ketë një mesazh politik.
Koleksionistët e veprave të ngjashme kanë thënë se nuk qëndrojnë prapa vjedhjes së pikturës, e cila ishte në gjendje shumë të mirë para se të vidhej.
“Ne nuk jemi përgjegjës për vjedhjen apo shitjen e muralit të Banksyt. Ne po ndihmojmë me hetime”, ka thënë një zëdhënës i tyre. Kurse zëdhënësi i policisë ka thënë se heqja e pikturës nuk është raportuar si krim.
“Një vepër origjinale e Banksyt ishte zbuluar nga policia, pasi që një diler alarmoi oficerët për një mashtrim të mundshëm”, kanë thënë zyrtarët nga Scotland Yard.
Vepra “Wrong War” e bërë nga një piktor nga Bristoli dhe piktura “No Ball Games” ishin blerë për 12 mijë funte muajin e kaluar.
Por dy javë pasi sollën veprat artistike te blerësi në Plumstead, në jug të Londrës, një diler i artit mori një letër nga banka ku thuhej se kreditë kartelat të cilat kishte përdorur ai për t`i blerë këto vepra nuk kishin autorizim nga poseduesit e tyre.
Hetuesit nga Greenwich CID hapën një hetim kur në të njëjtën kohë i dyshuari përsëri kontaktoi me një diler dhe këtë herë ai porositi dy nga veprat tjera të Baksyt me vlerë prej 10 mijë funtesh.
Policia ishte e informuar për këtë porosi dhe arrestoi një 25- vjeçar nga Plumstead. Ata gjithashtu kërkuan edhe në një adresë në Charlton, që besohet të jetë e lidhur me të dyshuarin. Gjatë kërkimeve ata gjetën veprën “Wrong War”.