Vijon të mbetet mister vrasja e 37-vjeçarit shqiptar Beni Arshiaj në Itali.
37-vjeçari u ekzekutua mbrëmjen e 6 tetorit në oborrin e banesës së tij në Piza, në sy të djalit të tij të mitur.
Hetuesit nuk kanë ende një pistë mbi motivet e vrasjes, pasi 37-vjeçari ishte një emigrant i rregullt, pa precedentë penalë dhe punonte si murator.
Arshiaj ishte baba i dy fëmijëve dhe njihej si një banor i rregullt në zonë, pa probleme me askënd.
Nuk dihen ende motivet e krimit të rëndë që i detyruan autorët ta godisnin me disa plumba 37-vjeçarin, i cili sapo kishte mbërritur me furgonin e punës në hyrjen e banesës.
Vrasja ndodhi në oborrin e banesës së tij, pas kthimit nga një restorant ku kishte ngrënë me familjen. Ai ishte duke hapur derën e furgonit kur u qëllua me dy plumba në kokë dhe tre në trup. Fqinjët e përshkruan 37-vjeçarin si një punëtor të përkushtuar dhe familjare. Mjeti i tij ishte ende i ndezur kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, duke treguar se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.
Djali i tij 9-vjeçar dyshohet se ka qenë dëshmitar i të shtënave, gjë që e bën situatën edhe më tronditëse për familjen. Hetuesit po punojnë për të ndërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët, të cilët mendohet se ishin dy persona që u larguan me skuter pas ekzekutimit. Një kamerë sigurie private në zonë mund të ketë regjistruar autorët.
Policia ka sekuestruar celularin e viktimës për të gjetur prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit. Dëshmitë dhe skedat e hetimeve do të ndihmojnë në përcaktimin e motiveve dhe rrethanave që çuan në këtë akt të dhunshëm.