Kjo nuk është pamja e një banese pas tërmetit të 26 nëntorit.
Kjo është panorama, që la pas shpërthimi i kontrolluar i pallatit në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit.
Shpërthimi me tritol i pallatit nr.122 ka sjellë pasoja dhe dëme të konsiderueshme në banesat private, pallatet dhe bizneset që ndodhen përreth tij.
Kamera e “DurrësLajm” ishte në pallatin 5-katësh, që ndodhet në një distancë prej 10 metrash nga ndërtesa që u shemb, ku siç duket edhe nga pamjet, dëmet konsistojnë në çarje muresh, thyerje dritaresh dhe në dëmtime të orendive shtëpiake.
Një nga banorët e pallatit, Gëzim Karebi thotë për “DurrësLajm” se grupi i ekspertizës paraprake i ka vlerësuar dëmet si të lehta, në kohën kur në shtëpinë e tij, veç dritareve të shkulura nga vendi, janë çarë edhe muret.
“Hyrjet në katin e parë, shumë afër me pallatin, janë shumë të dëmtuara. Duke filluar nga dyert e blinduara. Kam dy hyrje. Të vijë ndonjë inxhinier t’i kontrollojë dhe të fusim fëmijët brenda.
Kanë ardhur dhe na thanë se ka vetëm dëmtime të vogla. Unë ngre shqetësimin te dera blinduar, te muri ndarës me fqinjin, madje dhe dritarja ka rënë komplet në tokë. Ngre shqetësimin që të jemi të sigurtë.
Paraprake janë, e kanë marrë si diçka të lehtë, qesharake, por për mua është dëm serioz. Kërkojmë ekspertizë, që të verifikohet që kalamajt të rrinë të qetë.
Si pallat është pallat i banueshëm. Ky ka qenë shumë afër me pallatin e shembur”, deklaroi ai.
Një tjetër banor shprehet se dëme të tilla nuk i shkaktuan as lëkundjet e tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
“Ra tërmet s’mësuam kështu, u shemb pallati u shkatërruam. Dritaret na u shkatërruan, gurë e pluhur na u mbush shtëpia”, thotë ai.
Dëme të shumta pësoi edhe banesa private e Shpresa Kërtushës dhe biznesi, lokal që ajo posedon përballë pallatit nr.122.
“Sapo erdha në banesë dhe e gjeta kështu pas shpërthimit”, tregon Shpresa, ndërsa hedh sytë nga tavani i rënë.
“Dëmet e tërmetit i kemi mbuluar vetë, por këtë herë se bëj më. I gjithë salloni më ka rënë në tokë, xhamat e katit të dytë dhe nuk ka ardhur askush deri më tani”, shton ajo .
Tërmeti i 26 nëntorit, 2 vite më pas, vijon të jetë problem dhe shqetësim për qytetin, që e ka të pamundur të harrojë atë natë, sidomos prej situatave të tilla me të cilat përballet herë pas here.
K.Gj.





