Data 3 janar ka qenë afati i fundit që banorët e Thumanës të lirojnë hotelet ku janë strehuar përkohësisht, por pas rezistencës së tyre autoritetet vendosen që ata të qëndrojnë sërish aty deri në sigurimin e banesave. Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj, por me këtë shumë është e pamundur për gjetur një shtëpi prandaj kërkojnë rishikimin e shumës. Ndërkohë që bashkia i ka garantuar që nuk do të largohen nga hotelet pa u gjetur shtëpitë me qira. 

Murgesha Mariglena Gjoni e cila po asiston si psikologe, thotë se gjendja e këtyre banorëve është shumë e rëndë, madje ka dhe prej atyre që kanë menduar t’i japin fund jetës.

“Ajo që shoh është jo thjesht shkatërrimi i një shtëpie, por i një shprese, nuk dinë ku do të gdhihen. Banorët e Thumanë janë problem, pasi kanë edhe traumën e personit të vdekur, të familjarëve, etj. Por edhe të tjerët nuk janë më pak. Fëmijë, adoleshente, janë me rrezikshmëri të lartë për vetëvrasje.

Disa më kanë thënë: kam tentuar të vras veten disa herë. Është një problem jo pak i vogël, për të thënë dramatik është pak. Kush dëgjon, të vendosë dorën në zemër. Thirrje shtetit dhe qytetarëve; mos ngrini idenë se sa do të marr për qiranë, mos përfitoni nga situata. Duhet të vendoseni në vendin e tyre, ku i dihet si vjen fati nesër. Ju lutem dëgjoni ankthin dhe britmën e tyre”, thotë motër Mariglena Gjoni.