Federata Italiane e Futbollit, ka vendosur të heqë pezullimin e Zhoze Murinjos për dy ndeshjet e ardhshme në Serisë A. Tashmë Roma do të ketë në pankinë “Special One” për takimin e rëndësishëm ditën e nesërme ndaj Juventusit.
Ditën e djeshme Roma dërgoi një apel në Federatën Italiane të Futbollit për të hequr pezullimin e Murinjos për dy ndeshjet e ardhshme në Serie A.
Gjykata e FIGC-së ka marrë një vendim për kërkesën klubit kryeqytetas tashmë. Gjyqtarët u shprehën se në konfliktin mes Murinjos dhe gjyqtarit të katërt Marko Serra, kanë dalë fakte se ky i fundit ka provokuar teknikun e Romës i cili doli me karton të kuq nga ndeshja ndaj Kremonezes.
Gjithsesi çështja do të gjykohet sërish, nga ku pritet të dalë një vendim përfundimtar. Por i rëndësishëm është fakti se Murinjo do të jetë në stol ndaj Juventusit.





