ROME, 26 prill 2013 – Kishte fshehur kufomën e të atit, të vdekur në vitin 2011, në një nga muret e shtëpisë. Ngjarja e habitshme është regjistruar në një lokalitet të Romës. Një i papunë, 44 vjeç, është ndaluar nga karabinierët, pasi hetuesit kanë zbuluar se burri kishte murosur të atin, me qëllim që të vazhdonte të tërhiqte pensionin e tij.

Policia italiane bën të ditur se i papuni përfitonte çdo muaj 1400 euro pension të të atit dhe prej vitesh kishte jetuar me prindërit.

Sipas agjencisë Ansa, i ati i 44 vjeçarit u gjet i murosur në brendësi të një dhome, në një shtëpi të izoluar nga banesat rreth e rrotull.

44 vjeçari njihej si kontigjent i përdoruesve të substancave narkotike. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë se i moshuari mund të jetë vrarë.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/