TIRANE – Trupi i pajetë i kryekomisarit të Burrelit, Musa Skura, i shpallur “Dëshmor i Atdheut” pritet të mbërrijë nesër në atdhe. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, arkmorti me trupin e Skurës, do të mbërrijë në Portin e Durrësit rreth orës 09:00 me një traget të linjës Bari-Durrës. Homazhet në nderim të tij, do të zhvillohen në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, duke filluar nga ora 11:00 deri më 12:30.
“Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit nga ora 12:30 deri më 13:30”,- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Komisar Musa Skura, humbi jetën si pasojë e plagëve që morri gjatë një operacioni policor për kapjen e një grupi trafikantësh armësh. Paraditen e 15 janarit ai u transportua me një avion sanitar për në Spitalin e Foxhias të Italisë. Por megjithë përpjekjet e bluzave të bardha, 57-vjeçari Skura nuk ka mundur t’ia dalw dhe ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës. Komisar Skura, babai i tre fëmijëve, kishte një karrierë të gjatë në strukturat e policisë, në radhët e së cilës ka punuar prej 28 vitesh.





