Emiljano Musta, mesfushori nga Elbasani i Teutës, mungoi në sfidën që durrsakët luajtën në Vlorë, ndërsa do të jetë i gatshëm për sfidën me Vllazninë të dielën. Mesfushori vlerëson Vllazninë, ndërsa e sheh fitoren si detyrim në përballjen me shkodranët. Sipas tij, nuk u lejohet të gabojnë këtë herë e duhet të tregojnë se janë një ekip që di të reagojë edhe pas një humbjeje si ajo e pësuar ndaj Flamurtarit në Vlorë.
“Kjo fundjavë është e zjarrtë, pasi në Durrës presim ekipin shkodran, i cili po përmirësohet dhe ka marrë një fitore me shumë vlera javën e shkuar kundër kampionëve në fuqi. Por edhe humbja me Flamurtarin na e bën detyrë që të bëjmë një paraqitje dinjitoze. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të bëjmë kthesë në këtë përballje. E thashë që e vlerësojmë kundërshtarin dhe e respektojmë për emrin që ka, por ne duhet të luajmë si grup e të tregojmë vlerat tona. Nuk duhet të gabojmë përsëri në mënyrë që të mos humbasim ritmin, pra të vërtetojmë që kjo Teutë di të reagojë”, është shprehur Musta.