10 tetor 2013- Ka shkaktuar një furtunë në rrjetet sociale titulli që është përdorur nga gazetat për të ilustruar daljen në treg të librit të ri të Mustafa Nanos “Unë jam gegë”. Bëhet fjalë për frazën “me gegët bën komb, me toskët bën shtet”.Vetë Nano, në rubrikën e tij “Zululand” sot në DITA, ka komentuar këtë debat.

“Në të vërtetë, fraza e mësipërme është një pohim i bërë nga unë në libër, e në këtë kuptim nuk bëhet fjalë për një sajim. Mirëpo puna është që është shkëputur nga konteksti, dhe mua më vjen të pëlcas nga inati pse një numër komentuesish të siteve online, e të rrjeteve sociale, s’e kanë hiç për gjë të japin gjykime të kollajta kritike mbi librin, bazuar thjesht në nnjë pohim apo paragraf të shkulur nga sfondi i librit,” shkruan Nano dhe shton: “Por problemi nuk është tek parehatia ime. Problemi është që nuk është e drejtë, as metodike, të bëhen kritika të së tërës, në një kohë që njeh veçse një pjesë të parëndësishme të saj”.