Publicisti Mustafa Nano provokon sërish. Në një video të bërë publike nga UET PRESS, në bisedë me Alda Bardhylin mbi librin e tij të ri “Sandwich”, Nano thotë se udhëtarët e huaj që kanë vizituar Shqipërinë
përtej karakterit prej trimash të shqiptarëve kanë nënvizuar dhe elementë të një homoseksualiteti të fshehur, në krahina të ndryshme, në Veri dhe Jug.
Jo vetëm Bajroni, por në përgjithësi të gjithë udhëtarët e huaj jo vetëm anglezë, por edhe francezë apo të kombësive të tjera, kanë shquar te portretet shqiptare pamjen fizike, nuk e di pse, na kanë shquar, sepse përveç veshjes kishte elementë somatikë, të pamjes së fytyrës, së trupit, të gjithë kanë folur për një trup të hajthëm të shqiptarëve, të lehtë, pa shumë bark, për burrat.
Ka historianë që flasin për një lloj homoseksualizmi të fshehur të shqiptarëve, sidomos në veriun e Shqipërisë?
Eh në veri kjo është dalluar Hani, por ka edhe në jug. Dhe në jug është dalluar nga Çelebiu në Gjirokastër, në Elbasan sigurisht, kjo lloj hemofilie e fshehur mund të jetë dalluar edhe nga ca udhëtarë të tjerë, pastaj nga Lord Bajroni.
Në fakt një nga biografët më të mirë, shkrimtari Aleksandër Duma, nuk ngurron të tregojë që Ali Pashës nuk i pëlqente të mbante në harem vetëm femra, por edhe burra?
Dymaja nuk është se ka thënë që Ali Pasha ka qenë homoseksual, ka fol për një harem po në haremet turke atëherë ka qenë pak komplekse ka pasur edhe eunukë dhe Dymaja dhe ndoshta eunukët i ka marrë për burra të haremit.
Te ky libër ju e thelloni më tej çështjen e konvertimit të shqiptarëve?
E kam bërë dhe tek Pax Albanica, por tek Sandwich përpiqem të bëj një shpjegim ezaurues. Me këtë çështje janë marrë shumë vetë. Janë përpjekur edhe të bëjnë një shpjegim ezaurues. Është pak vështirë të shtosh gjëra, sepse në planin akademik ka një përpjekje shteruese prej kohësh.
Por unë jam ndalur tek një gjë që më duket e veçantë, që të tjerët nuk e kanë parë të udhës, që është marrëdhënia e shqiptarëve me armët. Në ndryshim nga popujt e tjerë të Ballkanit, për të mos folur për popujt e tjerë të Europës, shqiptarët kanë një marrëdhënie erotike me armët, gati-gati lapërdhare me armët, nuk e kanë pasur serbët një gjë të tillë, nuk e kanë pasur as grekët. Në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë por edhe pak më vonë, udhëtarët që shkonin në Ballkan, shkonin gjithandej dhe nuk shihnin njerëz me armë me sup, vetëm shqiptarë me armë në sup, sidomos në pjesën e Çamërisë. Dhe kjo marrëdhënie me armën duhet marrë në konsideratë nga studiuesit dhe për ta parë si një faktor shpjegues të konvertimit, krahas faktorëve të tjerë. Në atë periudhë kush bëhej mysliman kishte të drejtë të mbante armë, madje edhe sheshit, dhe kush nuk bëhej mysliman e kishte të ndaluar të mbante edhe fshehurazi armë, sepse po të kapej me armë ishte një kundravajtje penale e rëndë dhe në këtë kuptim shqiptarët kanë preferuar më mirë, sipas meje, të konvertohen në një fe tjetër dhe të braktisin fenë e tyre të parë dhe të mos u hiqet e drejta për të mbajtur armë. Arma për ta ka qenë më e rëndësishme sesa marrëdhënia që ata kishin me fenë e tyre, edhe me fenë që ata kishin në fillim, me Krishterimin, por edhe me fenë që morën më pas. Arma ka qenë një element shumë i rëndësishëm i jetës shqiptare, i ethos së shqiptarëve, i vizionit të tij për botën dhe unë e konsideroj një faktor të rëndësishëm të konvertimit, këtë marrëdhënie të shqiptarëve me armët.