9 mars 2015 – Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, nisi vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, që prej kohës kur ka marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës.
Mustafa i cili shoqërohet nga ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, është pritur në takim nga kryeminsitri Rama ndërsa do takohet edhe me presidentin Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta, dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, ku në qendër të takimeve pritet të jetë bashkëpunimi mes dy vendeve.
Rama: Kufiri të mos jetë më një pikë doganore
Kryeministri Rama deklaroi në lidhje me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 23 mars, se do të firmosin bashkarisht një sërë aktesh, por ambicia sipas tij është që kufiri të mos jetë më një pikë doganore ndërkombëtare.
“Ne nuk e kemi shqetësimin çfarë presim nga qeveritë përkatëse, por çfarë presin njerëzit nga secila qeveri për funksion të këtij bashkëpunimi. Kemi hedhur hapa të rëndësishëm të bashkërendimit të forcave në një sërë drejtimesh, kulturë, arsim, infrastrukturë, sigurisht në bashkëpunim ekonomik, por edhe për çështje që lidhen me energjinë. Nuk dua të ezauroj listën e punëve të bëra, por besoj se mbledhja e përbashkët e 2 qeverive në 23 mars, do jetë momenti ku t’i japim një raport të hollësishëm publikut lidhur me sa kemi bërë, do firmosim bashkarisht një sërë aktesh të tjera që na imponojnë bashkërendimin e forcave për një sërë çështjesh të tjera.
Na takon të lehtësojmë deri në fund rrugët e sipërmarrjes këtej dhe andej kufirit ambicia është që kufiri të mos jetë më një pikë doganore ndërkombëtare, por të jetë një pikë kalimi ku të gjitha autorizimet e licencat që kërkohen në këtë pikë kalimi të jenë të njehsuara, pra nëse një sipërmarrje shkon drejt anës tjetër dhe disponon të gjitha dokumentet e autoriteteve përkatëse në anën nga niset, në anën tjetër mos t’i kërkohen më, por të jenë të njohura si praktikë juridike me dokumentet e anës tjetër. Për biznesin nga dy ditë, nganjëherë dhe më shumë momenti i kalimit të kufirit të jetë vetëm 5 minuta. Në mbledhjen e përbashkët do heqim një sërë rregullimesh që e rëndojnë gjithë procesin e ndërveprimit për biznesit dhe bashkëveprimit ekonomik mes të dyja shteteve”, deklaroi Rama.
Mustafa: Mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë
Ndërsa, kryeministri kosovar Isa Mustafa, teksa vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e Kosovës drejt ndërtimit të shtetit të pavarur, duke falënderuar veçanërisht angazhimin e homologut shqiptar Rama në lobimin për njohjen e pavarësisë, theksoi se Kosova ka nevojë në këto momente të njihet nga më shumë vende, sidomos ato BE-së që nuk e kanë njohur akoma.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Konsiderojmë me rëndësi të veçantë marrëveshjen për bashkëpunim strategjik Shqipëri-Kosovë, si dhe punët që kemi bërë bashkarish, duke kaluar tërësisht kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Janë arritur rezultate shumë të mira në arsim e kulturë, do të bëjmë përpjekje që këto rezultate të shprehen edhe në marrëdhëniet tregtare. Kemi hapësirë të madhe të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta përmes të cilave do të ndërlidhemi edhe me vendet e tjera në rajon. Përkrahja juaj sa i përket njohjes së Kosovës nga vendet e tjera, edhe përkrahjen tuaj personale (duke iu drejtuar Ramës), e konsiderojmë të veçantë se Kosova ka nevojë në këto momente të njihet nga më shumë vende sidomos ato në BE që nuk e kanë njohur akoma”, u shpreh Mustafa.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





