Ish-ministri i kabinetit Berisha, Besnik Mustafaj, kritik i fortë i Bashës, ka vlerësuar takimin e mbajtur dje në Durrës, ku së bashku me ish-deputetin Astrit Patozi, mblodhën rreth vetes shumë demokratë durrsakë.
Pas këtij takimi, Mustafaj shfaqet shumë entuziast, duke pohuar se ka gjetur në takimin e djeshëm shumë nga qendrestarët e viteve ’91 e ’97.
Pas përfundimit të takimit në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, ai shkroi në “Facebook” se PD do t’i rezistojë katastrofës se një procesi zgjedhor të paqenë dhe do të ngrihet kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Postimi i Mustafajt:
Sapo u ktheva nga një takim i paharrueshëm në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kishin ardhur shumë më tepër demokratë se sa merrte salla. Gjeta shumë nga qëndrestarët e vitit ’91 e ’97. Por edhe shumë të rinj të mrekullueshëm të Forumit Rinor Demokrat.
Jam plot me besim se PD do t’i rezistojë katastrofës së një procesi zgjedhor të paqenë dhe do të ngrihet mrekullisht për t’i bërë opozitën që meriton kjo qeverisje e rrezikshme e Edi Ramës. Faleminderit qytetarisë demokrate durrsake që më dhanë këtë shpresë.





