Tiranë, 29 korrik 2014 – Shkodran Mustafi po vazhdon pushimet. Kampioni botëror me Gjermaninë thotë se po kënaqet në gjirin familjar, në vendin e origjinës. Ai është i qartë: thotë se është shumë i lidhur me kombin që i takon, edhe pse kishte zgjedhur të luante për Kombëtaren e Gjermanisë, e jo për atë të Shqipërisë.

E për këtë zgjedhje që e ka bërë, 22 vjeçari nuk është penduar. Përkundrazi ndihet krenar, posaçërisht tani kur e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror.

Në një takim me mediat shqiptare, Mustafi ka rrëfyer arsyet që e çuan në Gjermani, e jo në Shqipëri. Mbrojtësi i Sampdorias thotë se ia kishte borxh skuadrës gjermane t’ia mbronte ngjyrat:

“Gjermania më ka rritur dhe ma ka dhënë shkollën e futbollit. Dhe ta ndërroja rrugën pak para se të mbërrija te ekipi i parë, nuk bën. Ata ma dhanë rrugën, më rritën, më mësuan të luaj, e unë të iki, të shkojë të luaj për Shqipërinë, nuk ka kuptim. Unë kam luajtur për Gjermaninë prej U-15 deri në U-21 dhe ata më kanë patur parasysh”, ka deklaruar Mustafi.

Ai e pranon, duke thënë se dëshironte të arrinte rezultate kulmore, dhe Gjermania ishte shpresa e tij.

“Doja të shkoja sa më lart, dhe me Gjermaninë i kisha gjasat, kurse me Shqipërinë nuk e di a do të mund ta fitoja Kupën e Botës”, ka theksuar ai.

Siç dihet, Mustafi u bë futbollisti më i suksesshëm shqiptar. Ai është i vetmi që e ka fituar një medalje të artë në një Botëror, duke ia thyer rekordin Ardian Koznikut, i cili e kishte zënë vendin e tretë në botë me Kombëtaren e Kroacisë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/