TIRANE, 17 mars 2013– Muxhahedinët iranianë refuzojnë ofertën e Shqipërisë për strehim, duke mos pranuar azilin e ofruar nga Tirana zyrtare për vetëm 210 prej tyre. Organizata e Muxhahedineve të Popullit Iranian nënvizon se jeta e mbi 3000 muxhahedinëve në kampin Ashraf në Irak është në rrezik dhe për këtë arsye duhet të largohen të gjithë prej andej.
Sipas MEK-ut, muxhahedinët iranianë i kanë kërkuar Tiranës të rrisë numrin e azilantëve, duke siguruar se do të merrnin vetë përsipër shpenzimet. Por MEK nuk pranon që në Shqipëri të strehohen vetëm 210 muxhahedinë.
Shqipëria pranoi një ditë më parë kërkesën e SHBA-ve për të ofruar strehim me statusin e refugjatit për 210 persona iranianë, konkretisht të grupit “Mojahedin-e-Khalq”, MEK. Aktualisht ata ndodhen në Kampin “Liria”, në Irak. Strehimi i tyre në vendin tonë do të bëhet për arsye humanitare, sikundër bën me dije njoftimi zyrtar i takimit të kryeministrit Berisha me Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA, Barbara Leaf, përgjegjëse për Çështjet e Lindjes së Afërt. Është UNHCR-ja që u ka dhënë disa rezidentëve të Kampit “Liria” statusin e refugjatit.
Kryeministri Berisha tha se qeveria, sikundër iu premtua ish-Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton në Tiranë, po merr masat për strehim të sigurt, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit. Nga ana e saj Leaf, tha se “kryeministri me lidershipin e tij po dëshmon edhe një herë se është një mik i vërtetë i SHBA-ve”.
MUXHAHEDINËT
Muxhahedin Khalik ose Organizata e Popullit Muxhahedin të Iranit, i njohur ndërkombëtarisht si MEK, e drejtuar nga marksistë islamikë, ishte mbështetëse e revolucionit islamik iranian në 1979-n, por, pas prishjes së marrëdhënieve me regjimin e ri islamik, ata u larguan në Irak dhe u morën në mbrojtje nga Sadam Hussein gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në 97-ën, ata u shpallën nga SHBA si organizatë terroriste, por që prej 2003-shit, pas rrëzimit të Sadam Hussein, organizata shpalli çarmatimin dhe konsiderohet si opozita në ekzil e regjimit të presidentit të Iranit, Mahmud Ahmedinexhad. Me një mbështetje të fortë diplomatike në Uashington, administrata e presidentit Obama e hoqi vitin e kaluar nga lista e organizatave terroriste, pavarësisht thirrjeve të Teheranit për të mos e ndërmarrë këtë veprim. Deri tani vetëm Shqipëria ka marrë përsipwr të strehojë anëtarët e ish-organizatës terroriste.