Për herë të parë në termat romake në qytetin e Durrësit vihet në skenë një shfaqje. Bëhet fjalë për poetikën  “Muzat në Epidamn”, që solli para publikut magjinë e mijëra viteve më parë, magjinë e poezisë, sensuales, femërores.

Në kuadër të festivalit “Verë në Epidam” që është zhvilluar në pika të ndryshme historike të qytetit, janë zgjedhur jo pa qëllim këtë herë termat romake, për të promovuar e vënë në pah trashëgiminë kulturore të Durrësit.

“Ky festival është pritur mjaft mirë dhe numri i qytetarëve të interesuar ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë”, – shprehet për “Durrës Lajm” organizatorja Driada Dervishi.

Nën dritën romantike të qirinjve, nën lashtësinë e termave romake, aktoret kanë dhuruar për publikun emocione të shumta.

“Në këtë shfaqje krejtësisht të veçantë asnjë fjalë e thënë nuk është pjesë e një poezie, por janë pjesë të shkëputura nga poezi të ndryshme që formojnë një dramaturgji të tërë. Shfaqja hapet me fjalët e të madhit Kadare për të vazhduar më tej me poezitë e Safos”, – shpjegon  regjisorja, Adelina Muça.

Aktoret protagoniste që emocionuan publikun me “Muzat në Epidamn” ishin Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Arjola Basho, Aurora Imeri dhe katër muza të vogla të talentuara. Gjithashtu duhet theksuar edhe pjesëmarrja e veçantë e sopranos Arlinda Morava dhe flautistes Daorsa Dervishi.

Shfaqjet e zhvilluara në kuadër të festivalit “Verë në Epidam”, u konsideruan si lulet e një qytetërimi mijëra vjeçar.

Si të gjitha shfaqjet e tjera të realizuara me mjeshtëri e ndjenjë edhe “Muzat në Epidamn” u prit ngrohtë nga publiku durrsak.

R.O.