Jeta e mësuesit me shpirt rebel
Muzemil Jasin Osmani ka lindur në Vlorë në vitin 1948. E kështu mund të quhet vlonjat, po Muzemili thotë: “Më pëlqen ta them me mburrje, se rrënjët i kam në Çamëri, në Kuç, pesë kilometra larg nga Gumenica. Sëbrendëshmi kam një ndjenjë malli e krenarie për tokën e të parëve”.
Familjarisht u vendosën në Shqipëri në fund të vitit 1944. Një fat tragjik si i të gjithë popullsisë çame, që u shpërngul me forcë nga trojet e veta stërgjyshore e shekullore, si rezultat i politikës shumëvjeçare greke mbi spastrimin etnik. Mbas pak vitesh, më 1949 familjarisht u shpërngulën në Durrës, por vështirësitë dhe varfëria nuk iu ndanë për një kohë të gjatë. Me dhimbje e kujton Muzemili fëmijërinë: “Jetuam për dymbëdhjetë vjet në bodrumet e një ndërtese ( pronë e sekuestruar e familes Myshketa ), pak metra larg gjimnazit të sotëm “Gj. Kastrioti”, në rrugën që të çon tek “Vila e Zogut”. Më dridhet mishi kur mendoj se si kemi mbijetuar në atë bodrum. Ishte një dhomë e vogël, ku nuk hynte fare dielli, pasi nuk kishte qoftë edhe një dritare, apo vrimë, që të qarkullonte sëpaku ajri. Njeriu qënka i fortë. Le pastaj varfërinë. Nuk më vjen mirë ta them, po nuk më shqitet nga mendja një natë e vitit të ri, që ziemë misra të thatë për të ngrënë. Këjo ishte gjella e zgjedhur për festë”.
Në vitet e gjimnazit shquhet si ndër më të mirët e shkollës për matematikë. Mbas gjimnazit Muzemili filloi studimet në Universitetin e Shkodrës për mësuesi. E drejta e studimit i kishte dalë për histori – gjeografi, po Muzemili si i “Çmendur” që ishte pas matematikës, e ndëroi degën duke plotësuar pasionin e tij të kahershëm për t’u marrë me matematikën.
Emërimin e parë si mësues e provoi në Rubik, në rrethin e Mirditës, më 1968, ku punoi për disa vjet.
-Mua nuk më rrinte goja rehat. Çuditem edhe sot kur po kujtoj, se si kam shpëtuar e nuk më futën në burg. Buka e misrit ishte e mbushur me gurë, siç thoshin nga guri i mullirit. Kërrcisnin dhëmbët kur e hanje. Fshatarët ankoheshin nën zë, po s’u a mbante të flisnin hapur. Unë si pa e menduar gjatë, më vinte keq për ata fakirë, me kurajon e moshës, pak si i çakërdisur e me atë budallallëkun tim u thosha: pse nuk ankoheni ? A thua se ata nuk e dinin dhe mbeta unë t’ua tregoja ! Më shikonin si të habitur, u vinte mirë, por largoheshin shpejt, të trembur e pa bërë zë. Kam përshtypjen se më kanë mbrojtur, pasi asnjëri nuk më ka denoncuar
Mbas dy vjetësh Muzemili u transferua në rrethin e Durrësit, në shkollën e fshatit Sinaballaj në zonën e Rrogozhinës, ku punoi për katërmbëdhjetë vjet me radhë. E ç’kanë hequr mësuesit e shkretë, sidomos ata që shkonin nga Durrësi në zonën e Kavajës e të Rrogozhinës. Një zot e di se si e kanë përballuar ! Se mos të tjerët ishin më mirë, po të kujtojmë ata të zonës së Ishmit”.
Çudi ! Përsëri një ngjarje, banale për ditët e sotme dhe mund të qeshim sa të gajasemi, po për kohën kur ndodhi ishte shumë me spec: Ditë votimesh. Mëngjes herët. Për arrësye familjare, Muzemili për gati dy orë vonohet për të votuar. Hata e madhe ! Alarm ! -Mësuesi kishte guxuar të thyente “Dashurinë për Partinë”. Si shokët duhesh të ishte në radhë që pagdhirë. Të shqetësar komisionerët, që s’i zinte vendi, shkuan dhe e morrën deri në shtëpi me makinën e “Sekretarit të parë”. Kur erdhi të gjithë e shikonin si armik. Nuk i folën deri sa hodhi votën në kuti. Po ç’hoqi më pas : Një lumë të sharash e fyerjesh. Nuk e arestuan, po u mjaftuan me një “Letër qarkore”, që u lexua në çdo shkollë, ku përmendej se një mësues në Durrës ka tentuar të mos votojë.
Krahas mësimit cilësor në klasë, Muzemili u bë botues i rregullt në revistën shkencore për fëmijë “Horizonti”, ku botoi njëmbëdhjetë artikuj. Këtu e ka fillimin deshira për t’u marrë me shkrime dhe botime edhe më të mëdha se një artikull. Muzemili e kish gjetur rrugën për të shprehur aftësitë e tij. Rrugë të cilës nuk i ndahet edhe sot e kësaj dite.
I lodhur e i mbushur vrer, pasi për transferim kishte bërë shumë përpjekje në zyrat e qeverisë vendore në rrethin e Durrësit, u detyrua t’i shkruajë vetë Ministrit të Arsimit një letër, ku mes të tjerave i theksonte: “S’kam më besim as te partia dhe as te qeveria. Mbaj përgjegjësi për këtë që po them. U bënë katërmbëdhjetë vjet që më përcjellin me “Fjalë të mira e gurë në trastë”. Për këto fjalë, sidomos kur përmendej dhe goditej emri i partisë në pushtet, vështirë të shpëtoje. Përfundimi dihej ! ? Akuza ishte e gatëshme “Armik i Partisë”, bile s’kishte nevojë të lodheshin as për dëshmiatrë të rremë.
Megjithatë “Profesori” ynë me shpirt rebel, pak vonë po fitoi, pasi më në fund, në vitin 1989, u transferua në Durrës. Fundi i diktaturës. Emigron familjarisht në Greqi.Pas peësë vitesh u këthye përsëri në Durrës. Emrohet n/drejtor në shkollën 8-vjeçare “Demokracia”. Shkollë e re e porsa hapur, që kërkonte shumë punë e përkushtim. Muzemili punoi plot pesë vjet. Në vitin 2001 vendosi të shkëputet nga detyra në shkollë, për të dalë më në fund si krijues i lirë dhe botues librash për matematikën.
U deshën disa vjet të tjerë, pasi të binte diktatura dhe të ndryshohej sistemi, që Muzemilit t’i çelej drita jeshile e botimit. Mbas shumë përpjekjesh mundi të nxjerrë në dritë librin e tij të parë “Matematika e mrekullive dhe të fshehtave”, për të vazhduar me librin “Pitagora dhe Arkkimedi”. I treti libër, për të cilin kishte punuar aq shumë dhe kishte pritur aq gjatë, ishte “Jetë për Matematkën”. Nderimi më i madh për Muzeilin ishte ardhja nga Tirana e pedagogëve të katedrës së matematikës të Universitetit Shtetëror, si Agim Kaçanaj, Edmond Pisha, Fatmir Hoxha, Agim Bërdulla, Luigj Gjoka, në krye të tyre edhe Dr.profesor Aleko Minga, njëri prej themeluesëve të matematikës moderne Shqiptare, i cili në fjalën e tij, mes vlerësimeve të larta për mësuesin e pasionuar dhe librat e tij, foli për një peng e brengë të vjetër: “Këtu, për herë të parë, po i them Muzemilit një gjë që, nuk ia kam thënë askujt deri tani. Për këtë libër para dhjetë vjetësh më erdhi një porosi, që të mos botohej. Me një fjalë t’i jepej reçenca negative. Rashë në hall. Libri ishte i mirë dhe i bukur. Po si t’i them Muzemilit ?
Gjeta një zgjidhje që m’u duk si më e pëlqyeshme: I thashë, se libri ka nevojë të plotësohet me më shumë material shkencor, që gjendet në bibliotekën kombëtare”. Për mësuesit e vjetër, kjo fjalë e profesorit të nderuar nuk shkakton as çudinë më të vogël, pasi janë me dhjetra, në mos me qindra raste të tilla, kur personave të padeshiruar, apo me biografi “Të keqe” u ndalohej të botonin.
I bukur është vlerësimi i shkrimtarit të njohur durrësak Shpend Topollai, i cili në fjalën e hapjes: “Matematika me petkun e letërsisë” thotë: “Kështu siç është kompozuar nga autori, libri ngjet me një “Enciklopedi të vogël matematike”……
Të pakrahasueshëm për nga vlerat janë librat për nxënësit që përgatiten për olimpiadat e matematikës. Si “Olimpiada” klasa 4 dhe “Nëpër olimpiadat e Europës” për klasat 5 – 6 – 7 – 8 – 9. Këtu autori ka vjelur nektarin e përvojës botërore, por edhe ka derdhur me tepri pjesë të shpirtit të tij si mësues, edukator, misionar dhe krijues.
Është një arësye më shumë, që Muzemili prej shumë vitesh të jetë një ndër bashkëpunëtorët e afërt të sektorit shkencor për matematikën pranë QKF në Durrës.
Muzemili sot është ndër matematicienët e njohur në rrethet studimore dhe botuese në mbarë vendin. Ai i ka dyertë e hapura në çdo shkollë, ku pritet me dashuri dhe nderim të veçantë. I ftuar nderi nëpër shumë veprimtari shkencore, sidomos në “Festën e Matematikës”dhe konkurset, që organizohen jo vetëm në Durrës, por edhe në Fier, Pogradec, etj…
Edhe shtypi nuk ka qënë indiferent. Në artikuj të ndryshëm përmendet emir i Muzemilit. Po citoj pak radhë nga gazeta “Mësuesi”,në shkrimin “Pse u plak matematika”, shkruhet:
“Shumë shkolla mburren dhe mbahen me emrat e mësuesëve të nderuar durrësakë, Krahas tyre autorë tekstesh, si Islam Alikaj, Gjergj Frashëri, Muzemil Osmani, Agim Shehi e shumë e shumë të tjerë “Steka të vjetra” të matematkës”…..
Në vazhdim të punës me librin e vlen të vemë në dukje edhe botimin e disa teksteve shkollorë matematike të miratuar nga MASH, si “Matematika” për klasat: 6 – 7– 8 – 9, të cilat e mbyllin komplet ciklin e shkollës 9-vjeçare. E gjithë kjo prodhimtari botimesh, e cila nuk është pak, përbën në vetvete një pasuri dhe arritje në arsimin dhe pedagogjinë Shqiptare në fushën e lëndës së matematikës. Ç’mund të bëjë më shumë një qytetar e atdhetar idealist si Muzemili ? Po përfitimi ? -Deri tani është i vakët.
Kohët e fundit Muzemili ndërmorri një hap tjetër rëndësishëm dhe të vështirë: Hapjen e shtëpisë botuese me emrin “Muzemili”, ku boton vetëm libra për matematikën. …..
Muzemili është dhe mbetet shembull dhe model i njeriut qytetar të përkushtuar ndaj punës, ndaj shkencës. Model i mësuesit të pasionuar ndaj matematikës, i vizionarit të dashuruar ndaj shkencës.