I vendosur që prej vitit 1983 në shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut, muzeu i kulturës popullore (etnografik) i Durrësit po përballet dy muajt e parë të këtij fillimviti me dy problematika të rëndësishme. E para, nevoja për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme të ndërtesës; e dyta, pronarët e banesës që tashmë kanë paraqitur pranë këtij muzeu certifikatën e pronësisë. Rikthimi i ndërtesës tek pronari i ligjshëm do të shoqërohej domosdoshmërisht me zhvendosjen e të gjithë fondit të objekteve dhe dokumenteve të muzeut të kulturës kombëtare dhe atij “Aleksandër Moisiu”, në një destinacion të papërcaktuar. I pyetur mbi këtë çështje, drejtori i rrjetit të muzeve të Durrësit, Edmond Agolli shprehet se,- “ky do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej këtij monumenti kulture të kategorisë së parë. Projekti ynë konsiston në grumbullimin e të gjitha muzeve të qytetit në këto ambiente, duke i përqendruar muzeun etnografik, pavijonin e relikeve të luftës, galerinë “Ibrahim Kodra” dhe muzeun “Aleksandër Moisiu” në katin e parë dhe të dytë të shtëpisë me çardak, që i takon gjysmës së dytë të shekullit XIX-të”.
Kërkohet një godinë
Sipas Agollit përqendrimi i të gjithë këtyre muzeve në të njëjtën godinë do të ishte një gjë mjaft e mirë edhe për turistët, të cilët mund t’i vizitonin të gjithë këto ambiente duke paguar vetëm një biletë. Nga ana tjetër, pozicioni i kësaj shtëpie, që gjendet shumë pranë objekteve të tjera arkeologjike dhe historike të rëndësisë së veçantë si amfiteatri, muret antike apo Torra Veneciane, i përqendron gjithë këto vlera të rëndësishme të historisë, kulturës dhe etnografisë së Durrësit në një hapësirë ku ruhen dhe dokumentohen etapa të ndryshme kohore nëpër të cilat ka kaluar zhvillimi i qytetit mijëravjeçar. Drejtori Agolli sheh si zgjidhjen më të mirë të mundshme në këtë rast lidhjen e një kontrate qiraje mes Bashkisë së Durrësit apo Institutit të Monumenteve të Kulturës me pronarin e godinës. Në këtë mënyrë muzetë do të vazhdonin të qëndronin në godinën që mban statusin e monumentit të kulturës dhe nga ana tjetër pronari i ndërtesës do të mund të vilte paratë. Ndërsa tregon se prej kohësh drejtoria e muzeut i është drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe IMK-së me shkresa dhe propozime të shumta për kryerjen e rikonstruksionit të ambienteve të godinës, këto kërkesa sipas Agollit janë shtyrë për në kalendat greke. Sipas tij, Ministria dhe Instituti i Monumenteve kanë qenë në dijeni të përçapjeve të pronarit të godinës për të nxjerrë certifikatën e pronësisë dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja e vonesave të pajustifikueshme. “Të mendosh që ambientet e brendshme të kësaj shtëpie kanë mbi 25 vjet pa u lyer.
Ndërsa drejtori Agolli shpreson në arritjen e një marrëveshjeje qiraje mes pushtetit lokal dhe familjes Noçka, nga Tirana, që gëzon të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë muze të aktorit të madh, Aleksandër Moisiu, burime zyrtare të Bashkisë së Durrësit konfirmojnë për gazetën “Dyrrah” se pushteti vendor nuk ka asnjë detyrim në këtë mes. Të njëjtat burime konfirmojnë se muzeu i kulturës popullore dhe ai “Aleksandër Moisiu” janë nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, për këtë arsye është ky dikaster që do të vendosë për fatin e tyre
Nuk bën një përshtypje të mirë kur një turist i huaj vjen të vizitojë muzeun dhe përballet me objekte mjaft të rëndësishme të etnografisë dhe kulturës kombëtare, por të ekspozuara në ambiente të papërshtatshme. Është bërë më parë një projekt për restaurimin e tyre nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, që është i vetmi që mund të ndërhyjë, por projekti nuk u realizua. Duket se ministria u tërhoq kur nisi të marrë formë projekti për t’i dhënë monumentet e kulturës me koncesion tek privati”,- thotë Agolli. Ndoshta kjo do të jetë ndonjë nga mundësitë se si e sheh Ministria e Kulturës dhe IMK-ja fatin e muzeve të Durrësit. Por nëse shtëpia muze do të kalonte në duart e privatit, ndoshta nuk do ishte e largët koha, kur dhe aty të hapej ndonjë bar a restorant, siç ka ndodhur me shumicën e monumenteve të dhëna me qira. Gjithsesi drejtori Agolli, tani për tani e sheh të pamundur zhvendosjen e muzeve në godina të tjera. Madje ai shprehet se po pret largimin e personelit të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, që aktualisht zë katin e parë të godinës, për të bërë realitet hapjen e galerisë “Ibrahim Kodra” dhe pavijonit të relikeve të luftës. Përfundimi i rikonstruksionit të muzeut arkeologjik, do të pasohej me zhvendosjen e zyrave të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, duke i dhënë kështu jetë projektit për përqendrimin e të gjithë muzeve në të njëjtën godinë.
Reagimi i bashkisë
Ndërsa drejtori Agolli shpreson në arritjen e një marrëveshjeje qiraje mes pushtetit lokal dhe familjes Noçka, nga Tirana, që gëzon të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë muze të aktorit të madh, Aleksandër Moisiu, burime zyrtare të Bashkisë së Durrësit konfirmojnë për gazetën “Dyrrah” se pushteti vendor nuk ka asnjë detyrim në këtë mes. Të njëjtat burime konfirmojnë se muzeu i kulturës popullore dhe ai “Aleksandër Moisiu” janë nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, për këtë arsye është ky dikaster që do të vendosë për fatin e tyre. Institucioni i bashkisë ka nën varësi punonjësit e muzeve, por nga ana tjetër fondi i trashëgimisë kulturore është nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. Për këtë arsye, pushteti lokal nuk do të marrë përsipër lidhjen e një kontrate qeraje dhe pagimin e saj familjes Noçka. Në këtë mënyrë duket se fati i muzeve të Durrësit do të jetë ekskluzivisht në dorë të Ministrisë së Kulturës, e cila do të vendosë për qëndrimin e tyre në ambientet ku janë aktualisht apo për zhvendosen drejt një destinacioni të papërcaktuar. Mos investimi i ministrisë në këtë objekt ndoshta nënkupton se në të ardhmen pronarëve të objektit do t’u kalohet administrimi i tij. Në bazë të ligjit “Për trashëgiminë kulturore”, pronarët nuk mund të bëjnë asnjë ndryshim të funksionit të godinës (gëzon statusin e monumentit të kulturës të kategorisë së parë), e cila mund të përdoret vetëm për banim dhe duhet të ruhet nga pronarët, madje dhe të investohet prej tyre në ruajtjen e vlerave arkitektonike e historiko-kulturore që ajo ka. Nëse Ministria do të tregohet e gatshme të lidhë një kontratë qiraje me pronarin e godinës atëherë muzetë e Durrësit do të qëndrojnë po aty, në të kundërt e ardhmja e tyre duket e turbullt.
ETNOGRAFIKU
Rikonstruksioni, një domosdoshmëri
Ndërsa në muzeun etnografik qëndrojnë të ekspozuara rreth 223 punime artistike, objekte origjinale, dëshmi e mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave, ambientet e tij lënë shumë për të dëshiruar. Punimet artistike datojnë që nga vitet 1830-40. Nëse një turist vendas apo i huaj do të vizitonte dhomat e muzeut do të përballej menjëherë me mure plot lagështirë dhe plasaritje, që rrezikojnë të dëmtojnë fondin e objekteve me mjaft vlera të punuara në materiale leshi, mëndafshi, pambuku, bakri, druri e guri. Nga ana tjetër pasuria etnografike e Durrësit rrezikon të pësojë dëme të pariparueshme, sepse një pjesë e mirë e veshjeve popullore nuk janë të vendosura në korniza prej xhami duke qenë për vite të tëra kështu nën pushtetin e pluhurit, lagështirës apo dhe insekteve të ndryshme. Ndërsa Instituti i Monumenteve të Kulturës është i vetmi institucion që ka tagrin të realizojë restaurimin e shtëpisë muze, rikonstruksioni i parë dhe i fundit i bërë prej tij është ai i vitit 1983, vit kur u hap për herë të parë ky muze. Krahas objekteve të muzeut etnografik, aty ekspozohen rreth 150 objekte që i përkasin fondit të muzeut “Aleksandër Moisiu”, ndërsa rreth 1400-1500 janë veprat artistike, kryesisht piktura dhe skulptura të artistëve durrsakë, që përbëjnë fondin e Galerisë së Arteve Figurative të qytetit. Gjithashtu në këto ambiente ndodhen dokumentet e mauzoleumit të dëshmorëve, të cilat shfrytëzohen nga historianë apo studiues të ndryshëm për botimet e tyre. Përqendrimi i gjithë kësaj pasurie artistike në këtë shtëpi muze duhet të shoqërohet nga ana tjetër me një vëmendje më të madhe nga ana e institucioneve që e kanë në varësi, për të garantuar kushtet optimale për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave artizanale, artistike e kulturore me të cilat qyteti krenohet. Investimi i bërë nga vetë drejtoria për rinovimin e rrjetit elektrik dhe pajisjen e pikturave me korniza duket shumë pak, kur mendon për vlerat që ndodhen në këtë shtëpi muze.