VJENE– Muzeu Hebraik i Vjenës ka qindra libra dhe vepra arti që mund të jenë vjedhur nga nazistët, ka shkruar të shtunën një gazetë.
Një program verifikimi që ka nisur në vitin 2007, disa vjet pasi muzetë austriake nisën të dokumentonin se cilat mund të ishin veprat që ishin vjedhur nga pronarët legjitimë, ka dëshmuar se rreth pesëqind vepra arti dhe më shumë se 900 libra kanë origjinë të dyshimtë, ka shkruar e përditshmja “Der Standard”.
Gazeta ka cituar në veçanti disa piktura të Jehudo Epsteinit, i cili gjatë vitit 1936, kur ndodhej jashtë vendit ia kishte besuar 172 vepra arti industrialistit Bernhard Altmann.
Altmann ishte larguar nga vendi në vitin 1938 kur Gjermania naziste aneksoi Austrinë, dhe fabrika e tij ishte “arianizuar”, ka shkruar gazeta. E veja e Epsteinit, e cila kishte vdekur në Afrikën Jugore në vitin 1945, ishte munduar të mësonte më shumë për veprat e tij. Ato më vonë ishin shitur nëpër ankande në Austri, është thënë në njoftim.
Shumë prej tyre tani janë në koleksionin e Muzeut Hebraik, thuhej në raportin e bazuar nga burime brenda institucionit artistik të Vjenës.
Në raport citohej Danielle Spera, që ka marrë drejtimin e muzeut në vitin 2010, të ketë thënë se pavarësisht prej krizës financiare, ka angazhuar një studiues për t’i identifikuar veprat e artistëve dhe shkrimtarëve hebraikë.
“Gjithçka që ishte marrë ilegalisht duhet të kthehet. Nuk do të ketë asnjë shenjë hezitimi”, ka thënë Spera për “Der Standard”.
Vjenezja më tej ka shkruar se liderët e komunitetit hebraik të Austrisë kishin kërkuar më herët që veprat artistike të Epsteinit t’u kthehen trashëgimtarëve të piktorit që tani jetojnë në Angli.
Në raport bëhej e ditur se ky transferim mund të kryhet këtë muaj. Muzeu Hebraik nuk punon gatë së shtunës dhe askush nuk mund të kontaktohej për një koment të menjëhershëm. Në të ndodhet koleksioni i Max Bergerit që ishte blerë nga qyteti në vitin 1988, koleksioni Sessmann, që është huazuar që prej vitit 1992, dhe donacione të një koleksioni të Martin Schlaffit.
Edhe muzetë tjerë austriakë tashmë janë përballur me problemin e origjinës së vërtetë të pronarëve të veprave të artistëve dhe shkrimtarëve hebraikë.
Një pikturë e Egon Schieles, që ishte rrëmbyer prej nazistëve në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte shfaqur për publikun vitin e kaluar për herë të parë pas më shumë se një dekade pasi Muzeu Leopold kishte arritur një marrëveshje me pretendentët që kishte kushtuar miliona dollarë amerikanë.