Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, deklaroi sot se rreth 500 të rinj në vit do të mbështeten me financim për projekte komunitare, në kuadër të programeve të reja të qeverisë për fuqizimin e rinisë.

Nga një aktivitet i zhvilluar në Tiranë për prezantimin e politikave rinore, Muzhaqi – njëherazi kandidate e PS-së për zgjedhjet e 11 majit në qarkun Elbasan – theksoi rëndësinë që qeveria i jep pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje. Ajo përmendi krijimin e 61 këshillave rinorë vendorë dhe Këshillit Kombëtar Rinor, si hapësira ku të rinjtë mund të kontribuojnë për komunitetin.

Në fjalën e saj, ministrja njoftoi edhe tre programe të reja në Ligjin për Rininë: nismat komunitare, programi i talenteve rinore dhe praktikat e punës. Me to synohet mbështetja financiare për projekte, përfshirja në garat ndërkombëtare dhe orientimi drejt tregut të punës.

“Po investojmë edhe në teknologji përmes programeve si Tumo, Piramida dhe kodimi në shkolla, për të ndihmuar të rinjtë të gjejnë veten dhe të ndërtojnë të ardhmen”, tha Muzhaqi.