“Muzika dhe Vena” është tema e edicionit të 9-të të Bienales “Netët e muzikës klasike”, që do të zhvillohet në Durrës nga 1-9 gusht. Bashkë me muzikën instrumentale, pas koncerteve të çdo mbrëmjeje në Hotel “Adriatiku” të pranishmit do të dëgjojnë somelierë vendas dhe të huaj si dhe do të shijojnë verërat nga kantina të njohura në Itali, Spanjë, Gjermani dhe në vendin tonë.
Drejtori artistik i këtij Festivali, Florian Vlashi, fillimisht thotë se fjala “Venë” është përdorur jo vetëm për të mos u ngatërruar me stinën e verës, por edhe për të ruajtur dialektin durrsak.
Sipas tij “Muzika dhe Vera kanë qenë bashkë që kur njeriu filloi të kërkojë se si ti afrohej hyjnores”. Ai sjell shembujt e skulpturave 5000-vjeçare të Mesopotamisë ku dëfrimi kishte në qendër muzikën dhe verën, deri te preferencat e kompozitorëve të mëdhenj për verën, dhe produktet në kantinat personale.
Duke ruajtur strukturën e këtij Festivali që ka nisur në vitin 2003, Vlashi ka ftuar në natën e Muzikës romantike sopranon e mirënjohur Inva Mula, pianistin Genc Tukiçi dhe grupin instrumental “Shekulli i XX”.
Në natën e muzikës shqiptare do të interpretohen vepra nga Zacharian, Simaku, Shehu, Sina, Radoja, Buharaja, Bajraktari, etj., të cilat do të interpretohen nga formacioni i solistëve të Bienales nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli.
Perlat e muzikës baroke do të vijnë nga Orkestra Rinore e Durrësit që drejtohet nga Florian Vlashi. Një trio artistësh të rinj do të jenë protagonistë në natën kushtuar muzikës klasike, me vepra nga Haydn, Mozart dhe Bethoven. Një mbrëmje e veçantë i kushtohet edhe muzikës moderne me vepra të autorëve tanë dhe të huaj.
“Mëngjeseve nuk do të mungojnë koncertet në spitalin e qytetit, në shtëpinë e fëmijës apo në në institutin e edukimit për të mitur – shton violinisti Florian Vlashi, i cili që nga viti 1992 jeton dhe punon në La Corunja (Spanjë).
Konkursi “Yjet e rinj” do të përzgjedhë edhe këtë vit artistin e ri që do performojë në koncerte që do të organizohen në Spanjë.
Pa harruar në çdo mbrëmje verën e pranishme, që nga ajo e kantinës së Albano Carrisit deri te ato të Toskanës, Rhinit dhe Bordo-së, Festivali do të mbyllet në Amfiteatrin antik me koncertin “Nata e yjezuar”.
Violinisti Florian Vlashi ka një veprimtari të dendur koncertore, kryesisht në Spanjë dhe në Shqipëri. Që nga viti 1996 ai ka themeluar dhe drejton Grupin Instrumental “Shekulli i XX” si dhe dy formacione të rinjsh në qytete të gadishulit Iberik.
G.K.