Vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme, përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Durrës, me qëllim monitorimin e respektimit të aktit normativ që ndalon muzikën në mjediset e hapura, tej orarit të përcaktuar.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në lokalet në vijën bregdetare në Durrës, Plazh dhe në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Policia thekson se kontrollet do të vijojnë pandërprerë, për të garantuar respektimin e orarit të përcaktuar ligjërisht, për vendosjen e muzikës, në subjektet përgjatë vijës bregdetare të qarkut Durrës.
Policia e Durrësit iu bën thirrje subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në ambiente të hapura, të respektojnë oraret e përcaktuara në aktin normativ në fuqi, që të mos përballen me penalitete. Gjithashtu fton të gjithë qytetarët që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, si dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, për çdo problematikë që mund të hasin, duke iu siguruar shërbimin e Policisë, në kohë të shpejtë dhe me profesionalizëm.





