Kompozitori i njohur, Agim Krajka është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare të hënën e 1 marsit. Lajmin e hidhur e ka dhënë i biri, Ulisi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Agim Krajka u lind në Kavajë më 3 maj 1937 në një familje me origjinë dibrane. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash.
Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.
Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion.
Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.
Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë për të gjithë duke lënë vulën e tij si me muzikën e lehtë, ashtu edhe në atë popullore, të përpunuar e orkestrale.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.
Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike, etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fshati”, “Njësiti Gueril” etj. Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka krijuar motivet e valleve kryesore të kulturës tonë popullore si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame, etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje.
Në vitin 2018 në koncertin që TKOBAP realizoi në 85 vjetorin e lindjes së kompozitorit Agim Krajka, Presidenti i Republikës e dekoroi mjeshtrin Krajka me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.