Në prag të festave të fundvitit, në Sallën e Koncerteve të Radio Rumanisë në Bukuresht, u organizua një koncert i jashtëzakonshëm i formacionit muzikor “Kavaljerët e Dakisë”, nën drejtimin e dirigjentit Marius Firka. Koncerti u quajt “Bizhuteri Muzikore” pasi programi i tij përmblodhi pjesë të njohura të muzikës klasike botërore, muzikë xhaz, këngët më të njohura rumune dhe amerikane për Krishtlindje, pjesë nga operat e Verdit, Bizesë, Rossinit, Strauss etj.

Në këtë koncert të jashtëzakonshëm u interpretuan, gjithashtu, arie të njohura të muzikës operistike nga solistë të njohur të Operës Rumune, por edhe të operave të tjera evropiane.

E ftuara e nderit në këtë eveniment të rëndësishëm të vitit ishte Arlinda Morava, sopranoja shqiptare, e mirënjohur tashmë në skenat rumune dhe me shumë interpretime nëpër skenat evropiane. Me këtë rast, prezantuesja bëri një paraqitje të shkurtër të aktivitetit artistik të Arlinda Moravës dhe përshëndeti popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar se Rumania dhe komuniteti shqiptar i Rumanisë kanë luajtur një rol të madh në këtë eveniment historik. Sopranoja Morava, përveç pjesëve të repertorit klasik, interpretuar në shoqërimin e tenorit Florin Ormenisan, interpretoi disa këngë qytetare shqiptare, të cilat u pritën dhe u duartrokitën me entuziazëm nga publiku rumun që kishte mbushur sallën prej 2000 vendesh. Në këtë maratonë të muzikës më të mirë botërore, interpretuan, gjithashtu sopranoja rumune Angela Stratulat,  dhe baritoni i njohur, Iordache Basilic, solisti i parë i Operës Rumune.

Koncerti i jashtëzakonshëm i datës 6 dhjetor krijoi atmosferën e festave te fundvitit, kurse zëri dhe interpretimi i Arlinda Moravës solli në vëmendje të publikut Shqipërinë dhe jubileun e madh të festës kombëtarë të shqiptarëve.

E pyetur pas koncertit, sopranoja Arlinda Morava u shpreh: “Pjesëmarrja ime në këtë koncert është në vazhdën e koncerteve që unë kam organizuar në disa qytete të Rumanisë, kushtuar tërësisht muzikës shqiptare dhe Shqipërisë. Ka qenë një projekt i imi për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kam dhënë koncerte me muzikë të lëvruar shqiptare, gjatë këtij viti të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në qytetet Jash, Galaci, dhe Brëila. Këto koncerte janë pritur me interes dhe janë vlerësuara nga publiku rumun. Popullaritetin dhe njohjen time në fushën e muzikës përpiqem ta kthej në një mundësi për ngritjen e imazhit të Shqipërisë, jo vetëm në Rumani, por në të gjitha skenat europiane ku kam rastin të këndoj”.

Talenti dhe popullariteti i Arlinda Moravës në botën e artit në Rumani i sjell një shërbim të çmuar Shqipërisë, krenaria e saj për përkatësinë kombëtare manifestohet në çdo shfaqje, ajo nuk nguron që krahas emrit të saj të shkruajë (Albania).

Nga Mira Skënderaj