Mbrëmjen e së premtes, muzikologia durrsake Metila Dervishi, erdhi para artdashësve në një format të ri, jo si kompozitore apo tekstshkruese, por si autore libri.
Një punë e vështirë kërkimore nëpër arkiva, e cila zgjati 2 vite, është konkretizuar në librin e saj “Dokumente arkivore mbi zhvillimet kulturore-muzikore Shkodër 1879-1944”, i cili u promovua mbrëmë në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”.
Muzikantja durrsake kishte zgjedhur pikërisht qytetin e lindjes për të promovuar për herë të parë këtë botim, që siç theksoi edhe vetë gjatë një prononcimi për “DurrësLajm” është i pari libër i këtij zhanri në Durrës.
Jo më kot Dervishi ka zgjedhur këto vite të historisë së Shkodrës për të trajtuar në libër, sepse pikërisht në këtë periudhë kohore qyteti verior ka qenë epiqendër dhe djep i kulturës për të gjitha trevat shqiptare.
Në faqet e këtij libri, Dervishi ka sjellë me dhjetëra shkresa, dokumente, korrespondenca të asaj periudhe.
“Materiali faktografik që gjendet në faqet e librit dhe ekspozohet për herë të parë për publikun e gjerë na përket të gjithëve. Janë kuriozitete që mund t’i përkasin edhe një avokati, edhe një intelektuali. Pra kushdo mund ta gjejë veten në këtë libër”,- tha Dervishi.
I shoqëruar nga tingujt e pianos dhe nën moderimin e bibliografes së palodhur Teuta Dhima, promovimi i librit të Metila Dervishit mblodhi së bashku shumë emra të njohur të artit e kulturës në Durrës.
M.B.