Nga Poliandër Mele

Kam jetuar një jetë të mbushur plot

Kam udhëtuar në çdo autostradë

Por më shumë, më shumë se kaq

e bëra sipas mënyrës time!

Frank Sinatra, My way

Në brigjet e adriatikut lindor, në një tavernë, bar apo lokal, të arreduar me dërrasa, ishte ulur një piktor dhe një shkrimtar. Ata kishin një gotë balte përpara. Dukej si birrë e veçantë. Në hyrje, një shkrim me drita ndriçuese, kishte shkruar emrin e lokalit. My way! Mënyra ime. Stili im.

Më tej ishte edhe një foto e këngëtarit Frank Sinatra. Ndërkohë që piktori dhe shkrimtari ishin përqendruar në diskutime të veçanta mbi artin kontemporan, dhe kritika të barasvlershme me artistët e mbarë botës, ose ndoshta, edhe fare të pabarazvlefshme. Por askush nuk do të mund ta përcaktonte këtë. Ndërkohë që dy miq të tjerë të tyre erdhën dhe u bashkuan me ta në tavolinë.

Ka qenë viti gjashtëdhjetë e nëntë kur këngëtari Paul Anka shkroi tekstin e këngës legjendare My Way, i frymëzuar nga nga një këngë franceze të po asaj periudhe. Më pas këngën ja besoi më së miri këngëtarit të famshëm Frank Sinatra, i cili e shëndroi në një hit të pavdekshëm. Në vitin shtatëdhjetë e katër ai e këndoi atë në oborrin e Madison Square, ku la pas, një nga regjistrimet më prekëse të një periudhe të plotë të postmodernizmit muzikor, drejt fundit të saj.

Ndërkohë që rrymat e reja të ekzibicionizmit muzikor kishin filluar të hidhnin hapat e para. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, grupet muzikore si Deep Purple, Pink Floyd, AC-DC, Jethro Tull, Black Sabbath, dalëngadalë po filloni të rriteshin, për të pushtuar tregjet muzikore në pesëdhjetë vitet e ardhshme. Të gjitha këto ndryshime në botën e artit dhe të muzikës, hapën dyert e ndryshimeve, duke modifikuar strukturalizmin tradicional, duke thyer tabutë e ndaluara dhe duke futur mundësinë për konceptime të reja artistike, drejt një performance të re. Kishte filluar epoka e Performatizmit Artistik.

Moda gjithashtu hyri në një fazë ndryshimesh, dhe bashkë me të filluan të ndryshonin stilet e lokaleve, pub-eve, bareve apo tavernave.

Një kombinim të till e gjen në një qytet antik bregdetar, me traditë të lashtë në ndërthurjen atipike të stileve dhe kulturave. Në një lokal të arreduar me dërrasa, sapo hyn sheh veten të rrethuar nga një kombinim artistik që të bën të ndihesh rehat. Këto diskutime dhe kritika artistike, të vlefshme, të barazvlefshme apo të pabarazvlefshme, lundronin në tavolinë.

– Një birrë të lutem – porositi Martini. – Çfarë birrash kini?

Në lokal binin në sy një sasi e madhe me logo birrash nga më të ndryshmet. Benediktiner hell, Bitburger, Fischer, Erdinger Weissbrau, Tennents larger.

– Dëshiron të provosh një Benediktiner Hell? – tha një kamariere e buzëqeshur, sikur vinte bashkë me birrën nga europa veriore, e ftohtë dhe e sjellshme. Ndërkohë që kënga Civil War, nga grupi Guns N’ Roses dëgjohej në sfond, e shtonte etjen për birra të sapo prezantuara. Civil War! Luftë civile. Sapo përfundon një luftë, fillon menjëherë një tjetër. Duket sikur grupet e rock-ut ishin parashikuesit më të mirë të historisë, pas Nostradamusit. Kur bëhet fjalë për parashikime, të gjithë duan të shohin apokalipsin. Fundin e madh. Finalen. Tokën që përmbyset, yjet që bien, detin që ngrihet dhe si në ekranet e kinemave futuriste dhe performatiste, koka, pasi ngrihet lart, përfundon… me një birrë.

Hell!

Një Benediktiner Hell? Çfarë lloj birre është kjo?

Një Benediktiner Hell, dukej si një bekim në ferr. Një formulë e krijuar nga dikur, para katër shekujsh, nga murgit Benediktiner në manastirin Ettal, në zonën e Bavarisë.

Birrat erdhën nëpër gota balte si poçe mesjetare, kurse muzika kishte kaluar nga Guns N’ Roses te AC-DC. Highway to hell! Goditjet e baterisë vibronin lëngun në gotë. Autostrada për në ferr, me një Benediktiner në dorë. Benediktiner Hell! Ç’ferr apo parajsë!?

– Kjo është birra ime, mënyra ime, My way! – tha Martini.

– Ja, do ta shohim! –  tha shkrimtari i çuditshëm pranë piktorit.

Ndërsa piktori qëndronte pranë murales së ekspozuar dhe fantazonte në brendësi të mendimit të tij. Nëse duhej një kompozim klasik dhe enigmatik, apo një peisazh veror me palma dhe plazhe tropikale, të cilat freskojnë iluzionet.

Këtu ka disa kombinime absurde për mendimin. Këtu ti je edhe shkrimtari, edhe poeti, je njëkohësisht edhe piktori, edhe shkencëtari! Mund të pikturosh universin, por edhe mund të jesh vetë ti që krijon universin tënd. Ashtu si ti do! Tashmë je në epokën e performatizmit, antistrukturalizmit, ti mund të thyesh rregullat dhe ti rindërtosh konceptet e tua si të duash. Edhe për së prapthi.

Murgu i bekuar, krijuesi i formulës magjike, duket sikur rri sipër fuçive me birrë dhe kënaqet me ne kur na dëgjon. Të gjithë e shijojnë formulën e tij magjike, por asnjëri nuk do që të zbulohet ajo formulë, asnjëri nuk do ta hetojë atë. Ajo është perfekte. Më mirë le të mbetet mister. Le të qëndrojë ashtu si është, mjafton që birrat të jenë brenda stilit të vet, mjafton që birrat të mbushen njëra pas tjetrës. Edhe të pihen gjithashtu njëra pas tjetrës. Secila sipas stilit të vet. My beer, my way! Ky është performatizëm. Nuk është më postmodernizëm. Në epoka të çuditshme globale, në vende të çuditshme antimoderne me klimë mesdhetare, edhe të huaj e vizitorë habiten me zakone tërësisht në ndryshim.

– Por sot, ama është ndryshe. Sot është ekonomi tregu, – tha shkrimtari, – nuk është më formati standard. Sot tregu është i lirë. Çdo gjë, sot, përcaktohet nga tregu. Kërkesë, ofertë!

Piktori pohoi me kokë.

– Për çfarë shkruan ti shkrimtar?– pyeti ai, – Për njerëz të ligj? Apo për njerëz që vuajnë?

– Jo, kurrsesi nuk mund të shkruaj për njerëz të ligj. As për njerëz që vuajnë. Ndoshta për njerëz të mirë, që pinë!

– Pse, ata që pinë, a nuk vuajnë?

– Ndoshta. Këta të mite janë njerëz të mirë. Pinë por dëgjojnë muzikë. Duan ritëm, stil! Jazz, blues, rock. Por kryesorja është që duan të pijnë. Birra! Nga më të çuditshmet. Mundësisht artizanale.

Po ti piktor? Çfarë pikturon? Njerëz? Peisazhe? Karaktere?

– Pyetje e bukur! – tha piktori, – Po, dikur pikturoja njerëz. Kam pikturuar njerëzit e qytetit tim. Të gjithë, një nga një! Pa asnjë përjashtim. Më Pas i ekspozova atje, në galerinë qendrore të qytetit. Disa më falenderuan. Disa të tjerë më shanë. Njerëzit kanë frikë nga pikturat e tyre. Pëlqejnë pikturat e të tjerëve. Por kur shohin veten e tyre të pikturuar, tremben. Njësoj si Dorian Gray. Nuk duan të shohin anën e tyre të errën. Janë po ata njerëz që i duan pikturat. Por jo pikturat e tyre.

Ata duan pikturat e njerëzve të tyre të dashur. Ata duan ti kujtojnë ata. Piktura është rruga drejt kujtesës, një hap pranë përjetësisë. Njerëzit nuk i duan pikturat e veta, por ama duan stilin e vet. Nuk e duan stilin e tjetrit. Ata duan stilin e vet dhe pikturën e tjetrit. Kurse pikturën e vet dhe stilin e tjetrit nuk i duan. Tani nuk i pikturoj më njerëzit. As karakteret. Jam i lodhur me to. Tani pikturoj peisazhe, plazhe. Murale!

Në qytetin bregdetar, që shtrihet si murale plot ngjyra në perëndim, dëgjohet një muzikë rock. AC-DC, Thunderstruck! I goditur me rrufe! Ndërkohë që në televizor transmetohet një ndeshje futbolli. Në lokalin e veshur me dërrasa, dallohet qartë një logo. My Way! Rruga ime? Jo, tamam. My way! Mënyra ime! Stili im!

Është një stil jetese, një stil vetjak i të bërit të gjërave, një mënyrë e kalimit të kohës,  për të krijuar një kuptim, një ide, një mendim, një pasion, vullnet apo dëshirë.

“Është dëshira ime, që kam për të jetuar kështu. Plot pasion!”

Ndërkohë që birrat e shumëllojshme me gota qelqi dhe balte të shoqëruara me kikirikë dhe kripë i japin karakter këtij shërbimi. Benediktiner hell, Bitburger, Fischer, Erdinger Weissbrau, Tennents larger. My Way. Karakteri im. Stili im, stili juaj! Kombinimi i stileve. Imi dhe juaji. Kush e bën më mirë. Muralja e ngjitur në murin përbri e konfirmon më së miri këtë! 

Epilog:

Piktori i dëshpëruar kishte ndezur çakmakun dhe e kishte drejtuar drejt murales.

– Piktor, përse po ja drejton çakmakun murales? A nuk e sheh se ai cigaren, fundja, e ka të ndezur?

– Nuk dua ti ndez cigaren, dua ta djeg! – tha piktori.

– Po përse do ta djegësh atë murale?

– Do ta djeg, do ti vë flakën, sepse s’kam marrë asnjë lek për punën e bërë. Punoj dhe nuk më paguajnë për punën time.

– Po unë që s’kam shitur asnjë libër, çfarë duhet të bëj? – tha shkrimtari, – A ti djeg edhe unë librat që nuk kam shitur!?

Dyrrah, dhjetor 2022