·        Myfit Nexhipi u torturua nga sigurimi i shtetit për 12 orë me radhë në zyrat e policisë së Vorës derisa vdiq.

·        Tirrja në polici me pretekstin e “sqarimeve” rezultoi fatale për 48 vjeçarin, babain e katër fëmijëve.

·        Vëllai i tij, Neziri, kujton pas vitesh se si autoritetet nuk guxonin të jepnin trupin, duke u justifikuar me bërjen e autopsisë në spital.

Myfit Nexhipi ishte pjesë e një familje çame, që pas ikjes nga Vlora, u vendos në Fermë Sukth, në Durrës. Duke njohur situatën dhe ndryshimin e madh që kishte jeta në Shqipëri me atë jashtë, Myfiti ishte një eksponent që nuk e duronte sistemin komunist, i cili në fillimin e vitit 1990 po jepte shenjat se nuk do ta kishte të gjatë. Thirrja e tij për “sqarime” në policinë e Vorës rezultoi fatale për të, pasi xhelatët e sigurimit të shtetit e torturuan për 12 orë derisa ai vdiq. Si u shndërrua funerali për varrimin e tij katër ditë pas vdekjes, në atë që njihet si revolta e Sukthit në maj të vitit 1990.

Familja

Një nga 5 fëmijët e familjes së Beqir Nexhipit, Neziri tregon pas shumë vitesh se familja e tij nga Çamëria ishte vendosur fillimisht në qytetin e Vlorës, në lagjen Karabash. Babai i tij, Beqiri u vendos në këtë qytet fill pas shpërnguljes nga vendi ku kishin lindur, në Çamëri. Ai kishte kryer shkollën e mesme që në Greqi dhe për këtë arsye si nënpunës i mesëm caktohet nëndrejtor i ullishtës së Vlorës. Në vitin 1953 shteti i asaj kohe urdhëroi ndryshimin e shtetësisë për të gjithë shqiptarët e Çamërisë që ata ta linin nënshtetësinë greke dhe të merrnin atë shqiptare. Kjo gjë u kundërshtua nga Beqir Nexhipi, i cili kundërshtimin e  tij e argumentoi me fjalët: “me këtë gjë ne do humbasim gjithçka në trojet tona”. Kjo gjë sigurisht që nuk u pëlqye nga autoritetet e shtetit komunist dhe kështu nisën reprezaljet. Më pas Beqiri shkarkohet nga detyra në Vlorë dhe mbetet pa punë, derisa me pak shoqëri e njohje ai detyrohet të lërë Vlorën për t’u vendosur në Fermë Sukth të Durrësit, bashkë me gruan e tij dhe pesë fëmijët.

Ardhja në Durrës

Në Fermë Sukth Beqir Nexhipi punoi për afro 30 vjet si magazinier perimesh. Dy djemtë, Neziri dhe Myfiti, vazhduan shkollën mekanike dhe pas mbarimit të saj, Myfiti fillon punë në parkun e eksportit. Njohja me shoferët që dilnin jashtë dhe informacioni për jetën që bëhej në këto vende ngjallën një urrejtje tek ai për sistemin komunist, i cili kishte shkelur dhe ndrydhur çdo liri të individit. Duke qenë se në fund të viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 ai nisi të fliste hapur kundër regjimit, sigurimi i shtetit e vuri në shënjestër. Neziri kujton se: “nuk pati ndonjë veprim konkret nga vëllai që të justifikohej ajo që ndodhi, por u gjet si sebep që ai të merrej në pyetje nga policia”. Kështu, në 17 maj, Myfit Nexhipi thirret në postën e policisë së Vorës dhe aty torturohet 12 orë pa ndërprerje, derisa vdiq. Vdekja sigurisht që hapi telashe për autoritetet, të cilat e dërguan kufomën në Tiranë duke e mbajtur në morg. Neziri kujton se “një ditë më pas kanë ardhur nga policia e Durrësit dhe na kanë thënë se vëllai juaj vdiq nga infarkti, por më vonë dy banorë të Vorës na thanë se vëllai ynë ishte torturuar pa ndërprerje derisa nuk kishte duruar më dhe kishte vdekur”. Megjithatë të nesërmen të afërmit e Myfitit shkojnë në Tiranë për të tërhequr trupin, por ai u mbajt katër ditë me radhë në morg, me justifikimin se po bëhej autopsia. Duke qenë se mjaft studentë ishin në Tiranë të familjes Nexhipi, pati tentativa nga studentët që ta merrnin trupin dhe ta shëtisnin në shenjë proteste kundër regjimit rrugëve të kryeqytetit.

Shpërthimi i revoltës

Sigurimi i shtetit po merrte masa që ceremonia e varrimit të mos dilte jashtë kontrollit dhe për këtë arsye agjentë të ndryshëm kishin takuar gjatë këtyre ditëve disa herë me radhë Nezirin, vëllain e Myfitit, për të mos ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme. Trupi i vëllait të vdekur u soll befas në mesnatë, pas katër ditësh në shtëpinë e tyre në Sukth. Neziri kujton edhe fjalët e nënës së tij, natën që policia solli trupin e Myfitit në shtëpi, e cila iu tha policëve: Djali im e di që vdiq si trim, por do të varroset si hero!  Megjithëse agjentët e sigurimit silleshin vërdallë duke mbajtur në mbikëqyrje të gjithë të afërmit e viktimës, familjarët vendosën që të nesërmen në varrim të hidheshin parulla kundër regjimit. Kur erdhi koha për kryerjen e ceremonisë mortore, arkivoli me trupin e Myfit Nexhipit u mor në majë të gishtave nga shumë shokë e miq të tij dhe nga vendi ku gjendej pallati i kulturës turma e njerëzve të pranishëm në kortezh po thërriste: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë kriminelët” etj. Neziri kujton se gjatë këtyre momenteve kisha dy agjentë të sigurimit që më rrinin anash. Në varrim pati shumë njerëz, shumica kishin ardhur nga Tirana, Durrësi, Lushnja etj, si shokë dhe të njohur të Myfitti, por shumë të tjerë kishin ardhur thjesht për të shfryrë dufin ndaj regjimit. Ishte data 21 maj 1990 dhe në atë kohë në Shqipëri kishin ndodhur protestat e Shkodrës dhe Kavajës, kjo e Sukthit ishte e treta në shkallë vendi. Ndonëse thirrjet kundër regjimit ishin të qarta dhe sigurimi vazhdonte të ishte i fortë, policia nuk bëri ndalime, pasi situata mund të keqësohej më shumë. Në varrim ka folur një nga shokët e Myfitit, Xhevit Goshnishti, i cili ka akuzuar në mënyrë të qartë pushtetin e kohës se ata ishin shkaktarë të vdekjes së Myfitit duke e vrarë atë me dashje nga torturat e panumërta.

Ndërrimi i sistemit

Duke qenë një familje e goditur nga diktatura, Neziri që në fillimet e proceseve demokratike angazhohet me Partinë Demokratike duke qenë pjesë e forumeve drejtuese të saj në Sukth dhe më pas degën e Durrësit kur ata vendosën të shpërngulen nga Sukthi për të jetuar në këtë qytet. Në vitin 1995, dega e PD në Durrës dhe shoqata “Çamëria” propozuan që Myfit Nexhipi të marrë titullin “Martir i Demokracisë”, pas vdekjes, me dekret të Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha, datë 30.05.1995. Dekorata për merita në rrëzimin e komunizmit dhe idealet demokratike është dorëzuar në këtë kohë nga ish deputeti Uran Butka, i cili ka qenë edhe kryetar i komisionit për rehabilitimin e figurave antikomuniste. Martiri i Demokracisë, Myfit Nexhipi, vdiq nga torturat e sistemit komunist duke lënë jetimë katër fëmijë, më i madhi në atë kohë ishte 12 vjeç, ndërsa i vogli 4 vjeç. Fëmijët e tij tashmë janë rritur nën kujdesin e xhaxhait të tyre Nezirit, por pa pasur babain e tyre në vitet më të vështira.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/