TIRANË- Kryeministri Berisha takon në Mynih Zv/presidentin amerikan Joe Biden. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social Facebook. Sipas kryeministrit, Biden ka shprehur dëshirën për të vizituar Shqipërinë.
“Sot në mëngjes, i ftuar kryesor në Konferencën e 49 të Sigurisë në Mynih ishte Zëvendës Presidenti i SHBA, Joe Biden. Unë shfrytëzova rastin ta takoj direkt dhe ta uroj përzemërsisht për rizgjedhjen si dhe ta ftoj të vizitojë Shqipërinë. Zëvendës Presidenti Biden me tha se Shqipëria është një nga vendet që ai donte më shumë dhe se do ta vizitojë me kënaqësi”, shkruan Berisha.
Më tej kreu i qeverisë shkruan se “Zëvendës Presidenti Biden në fjalën e tij, që u ndoq me interes të madh, paraqiti bilancin e suksesshëm të mandatit të parë Obama – Biden si dhe qendrimet e SHBA për sigurinë globale. Ai theksoi se për SHBA, Europa është aleati kryesor dhe se SHBA dhe Europa janë partnerë të domosdoshëm për njëri – tjetrin. SHBA janë fuqi në Pacifik, por janë dhe mbeten edhe një fuqi atlantike dhe se është interesi më i mirë i Europës që ne jemi fuqi pacifike. Europa duhet të bashkohet me SHBA për të përballuar sëbashku sfidat e sigurisë si dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në Pacifik, në Afrike dhe kudo në botë”, citoi kryeministri zotin Biden.
Berisha tha ndër të tjera se “Për mua ishte një kënaqësi e vecantë se unë përfaqësoja Shqipërinë anëtare e NATO-s, vend që në kuadrin e kësaj Aleance kontribon në sigurinë globale”.