Policia gjermane në aeroportin e Mynihut ka zbuluar një shtetas shqiptar me pasaportë të falsifikuar italiane, i cili kishte për synim të udhëtonte drejt Anglisë.
Sipas policisë gjermane, shqiptari 22 vjeçar gjatë kontrollit të pasaportave ka nxjerrë pasaportën italiane dhe se gjatë dyshimeve të para nga ana e policëve kontrollues, shqiptari nuk ishte dorëzuar dhe se kishte deklaruar se bëhet fjalë për pasaportë origjinale dhe se ai po udhëtonte për të vizituar një mikun e tij në Londër.
Por, shqiptari, edhe përkundër njohjes së shkëlqyer të gjuhës italiane, ai u zbulua nga një polic gjerman me origjinë italiane, i cili për koincidencë vinte nga ai rajon i Italisë, nga ishte lëshuar pasaporta.
Më në fund, 22 vjeçari është dorëzuar dhe ka pranuar se kishte blerë pasaportën për 200 euro nga një shtetas italian, të cilin nuk e njihte fare.
Ndaj shqiptarit menjëherë është shqiptuar masa e paraburgimit dhe akuza për falsifikim dhe tentim mashtrimi.





