Myrto Uzuni ndryshon destinacion dhe do ta vazhdojë karrierën tek Austin në Amerikë. Klubi amerikan ka rënë dakord për të paguar 12 milionë euro, që përkon dhe me klauzolën e prishjes së kontratës te Granada. “Givemesport” raporton se palët po punojnë për plotësimin e dokumenteve.
Tashmë mbeten detaje si teste mjekësore, teksa Uzuni do e ketë eksperiencën e parë në Amerikë. Këto ditë kanë qenë mjaft intensive për sulmuesin 29-vjeçar. Uzuni nuk po stërvitej me skuadrën, teksa ishte pikërisht Austin që i kishte mbushur mendjen për transferimin.
Granada nuk hoqi dorë nga shërbimet e sulmuesit shqiptar. Vetë drejtori i përgjithshëm i klubit spanjoll, Alfredo Garsia Amado, tregoi se më parë kishin refuzuar 9 milionë dollarë. Për të përforcuar se nuk ta lejonin Uzunin, ai tha se ky operacion në merkato përfundon me sukses nëse paguhet klauzola e plotë e lirimit.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka gdhendur emrin e tij te Granada ku u afrua 3 vite më parë, pikërisht në janarin e vitit 2022. Uzuni largohet si golashënuesi i huaj, që ka shënuar më tepër në historinë e Granadës.