Muzeu arkeologjik i Durrësit ka patur mysafirë të veçantë ditën e sotme. Prej mëngjesit së bashku me ministrin tonë të Jashtëm, në muze për disa orë qëndruan edhe ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Malit të zi së bashku me ekipet e tyre.

Në muzeun arkeologjik u zhvillua Takimi i Dytë i Trepalëshit të Adriatikut mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Kroacia do të përfaqësohet me Zv.Kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjet Evropiane Marija Pejčinović Burić, ndërsa Mali i Zi me ministrin e Punëve të Jashtme, Srđan Darmanović.

Më mirë se në çdo sallë apo zyrë tjetër, zhvillimi i një takimi të tillë në muzeun arkeologjik të Durrësit është një prezantim i shkëlqyer i historisë sonë tre mijë vjeçare, i trashëgimisë kulturore, antikitetit, zhvillimit të qytetit në periudha të ndryshme historike por edhe zhvillimit post modern të vendit.

Trepalëshi i Adriatikut është themeluar në një takim të ministrave të Jashtëm të të tre vendeve, në shkurt të këtij viti në Split, Kroaci. Ai shërben si një platformë për përpjekje të përbashkëta të hapësirës Adriatike të NATO-s, për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes tre vendeve pjesëmarrëse si dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të sigurt dhe më të ndërlidhur në të gjitha dimensionet.

K.H.