Kur edhe pak orë na ndajnë nga heshtja zgjedhore që i paraprin votimit të së dielës për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm të 62 bashkive të vendit, kryetari i PD Durrës, Joni Myshketa ka një apel për demokratët.
“Ju ftoj të dalim masivisht në votime, të bëjmë detyrën tonë si qytetarë, si njerëz të lirë”,- thotë ai në një prononcim për “DurrësLajm”, ndërsa shton se fushata ka qenë qytetare dhe derë më derë për t’u njohur nga afër me shqetësimet e qytetarëve dhe ofruar zgjidhje konkrete.
Në zgjedhjet lokale të 14 majit, PD garon me një listë prej 53 kandidatësh për Këshillin Bashkiak.
Sipas Myshketës, lista me propozimet për këshilltarët e ardhshëm bashkiak reflekton qytetari, gjithëpërfshirje dhe figura aspak të përfolura apo të anatemuara.
“Përfaqësohet nga ekonomistë të qytetit, sociologë, juristë, mjekë, mësues, pedagogë, klerikë etj”,- tha Myshketa.
Në zgjedhjet e së dielës, PD nuk do të garojë me kandidat të saj për postin e kryebashkiakut të ardhshëm, pas vendimit të marrë nga kryesia e degës lokale dhe kjo sipas Myshketës ka ndodhur për të mos “u përsëritur një 6 mars i dytë në Durrës”.
Por çfarë mendon ai për kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Igli Cara dhe çfarë përfaqëson ky i fundit për demokratët e qytetit?
“Igli Cara nuk është produkt as i Berishës dhe as i Metës, ai është një produkt i PD dhe për mua është qytetar dhe i djathtë”,- thotë ndër të tjera Myshketa.
Për të mësuar më shumë ndiqni videon e mëposhtme: