Nga Skënder Minxhozi

Pas çdo akti dhune, pas çdo krimi me një farë peshe, madje fare pak kohë pasi ai ka ndodhur, del e flet politika, e jo zëdhënësit e policisë, prokurorisë apo instancave të tjera të përfshira në hetimet e ngjarjes në fjalë. Është kjo tabloja e shëmtuar që mbajmë mend qyshse ekzistojnë politikanët. Më saktë, politikanët shqiptarë. Kështu po ndodh edhe pak orë pasi banesa e prindërve të një gazetareje që merret me kronikën, është sulmuar nga të panjohur që kanë lënë pas gjurmën e dhunës që dinë ta lenë vetëm ata që duan të japin një “mesazh”. Mesazhin e frikës dhe të paralajmërimit ndaj njeriut të shtypit.

Pak minuta pasi në Laknas shkrepën pushkët e banditëve mbi shtëpinë e prindërve të Klodiana Lalës, në Tiranë shkrepën armët “pa grykë” të politikës. Një paradë krerësh institucionesh, ndër të cilët spikat si gjithmonë Partia Demokratike, me “intiuitën” e vet emblematike, për të gjetur autorët e krimeve, ndërkohë që këta të fundit s’kanë hequr ende maskat dhe gjerdanët e fishekëve.

Dy dekada e gjysmë më parë, teksa në mes të Tiranës hidhej në erë një supermarket, krerët e kësaj partie dilnin live në televizionin shtetëror, për të akuzuar “Sigurimin e Shtetit” vetëm pak minuta pasi kishte plasur eksplozivi. Asokohe doli dhe një barcaletë madje, ku thuhej se Berisha shkoi në spital për të vizituar të plagosurit, një orë para se të ndodhte shpërthimi. Ky banalitet është përsëritur dhjetra herë më vonë, kur partitë janë akuzuar mes vetes, ndërkohë që krimet kanë mbetur më pas pa autorë…

E njëjta gjë edhe sot. Me një ngjarje tejet delikate dhe të dhimbshme, e cila kërkon të gjithë diskrecionin dhe lënien dorë të lirë hetimit për të vijuar punën, partitë nisën sherret për t’i faturuar njëra-tjetrës autorët e ngjarjes. Deklarata e Lulzim Bashës, e cila drejton gishtin ndaj njërës prej ngjarjeve që Klodiana Lala ka raportuar në media, përbën një akt hipokrit dhe një ndotje e sugjestionim të panevojshëm të procesit të hetimit. Kolegia Lala ka raportuar shumë ngjarje në karrierën e saj, le t’ja lemë hetimit të identifikojë se cila nga pistat e dyshuara është me besueshmja. Kur halli kthehet në spektakël, vetë halli e humbet kuptimin.

Ajo që i ka ndodhur koleges Klodiana Lala është një akt i pastër dhune fizike ndaj medias dhe lirisë së shprehjes. Si i tillë, Klodiana meriton solidarizimin dhe mbështetjen e të gjithëve: kolegëve të saj, politikës dhe institucioneve. Por kur rreshtat e mesazheve mbështetëse, përzihen me akuzat politike dhe aludimet e kriptuara që krerët politikë i dërgojnë njëri-tjetrit publikisht, problemi i madh i dhunës ndaj shtypit dhe ngjarja konkrete ku rrezikuan edhe fëmijët e koleges tonë, del padrejtësisht dhe shumë shëmtuar në plan të dytë. Të gjejmë kriminelët e vërtetë, jo ata që i duhen politikës shqiptare për nevojat e saj të orës së fundit! Javanews