“Kjo rrugë përbën një shqetësim që vazhdon prej 27 vitesh. 27 vite taksa për pastrim, gjelbërim, ndriçim. 27 vite në këtë gjendje brenda qytetit të Durrësit. E kupton sa lekë na ka vjedhur kjo qeveri?”.

Ky është vetëm njëri nga banorët e lagjes nr.17, që ngre shqetësimin për aksin rrugor, që duhet të përshkojë çdo ditë para se të futet në shtëpi.

Në kohë me reshje, rruga “Ksanthipi Syko” pranë Sigurimeve Shoqërore Durrës kthehet thuajse e pakalueshme. Komuniteti i zonës e ka harruar se çfarë do të thotë të ecësh në një rrugë të asfaltuar.

“Në këtë rrugë 2-3 invalidë binin në baltë, kur e përshkonin me karrocë. Jemi më keq se fshatrat. Të vish këtu kur bjen shi duhet kalu me vapor!”

“Eshtë gjë përgjegjësia jonë ta bëjmë këtë rrugë? Ne që bëjmë shtëpitë duhet të bëjmë dhe rrugët? Çfarë do bëjë shteti, do “rruajë” taksat?!”

“Kjo rrugë u bë vite e vite dhe ja, po në këtë gjendje. Eshtë turp mes qytetit të Durrësit kjo rrugë. Në kohë me shi duhet gomone me kalu këtu”,– janë vetëm disa nga shqetësimet që komuniteti i zonës përcjell përmes mikrofonit të “DurrësLajm”.

Infrastruktura e këtij aksi është tërësisht e degraduar, ndërsa vende vende ajo përshkohet me mjaft vështirësi nga automjetet.

Burime nga bashkia Durrës bëjnë të ditur se projekti i këtij aksi është gati prej kohësh, por zbatimi i tij mbetet peng i një Vendimi të Këshillit të Ministrave për shpronësimin e një familjeje, shtëpia e të cilës duhet prishur. Të njëjtat burime theksojnë se sapo të miratohet VKM-ja përkatëse, do të vijohet me procesin e shpronësimit dhe shpalljen e tenderit për shtrimin e rrugës.

Për banorët, asfaltimi i këtij aksi mbetet kërkesa primare prej rreth 2 dekadash. “Topi” i mbetet qeverisë Rama, për të dhënë dritën jeshile për nisjen e punimeve të shumëpritura.

Përveç banorëve të zonës, degradimin e infrastrukturës e vuajnë së tepërmi edhe qytetarët durrsakë, që i drejtohen çdo ditë Sigurimeve Shoqërore Durrës.

M.B.