Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës që mbajti në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria2030 në BE – Rruga e Reformave” tha se integrimi i vendit në BE është i domosdoshëm për Shqipërinë.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se europianët janë vetëdijësuar se BE është një perimetër sigurie.
“Përpara pak kohe doli një anketë për nivelin e mbështetjes nga ana e BE, një anketë e cila publikohet që prej vitit 1983. Dhe që prej 1983 BE nuk ka qenë më popullor brenda perimetrit të vetë në këndvështrimin e popullit të vetë se aktualisht. Është një ndryshim dramatik i këndvështrimit popullor në BE që vjen si rezultat i faktit që çka ishte marrë deri pak kohe si e mirëqenë nuk është me e mirëqenë dhe instinktivisht popujt e BE unë them pjesa perëndimore e përkëdhelur nga fakti se për herë të parë në histori një gjeneratë e tërë nuk ka parë një luftë janë vetëdijësuar se BE është edhe një perimetër sigurie. Një perimetër sigurie brenda të cilit vendet dhe popujt që e përbëjnë ndjehen dhe duan të mbeten të pakërcënuar dhe mbi të gjitha në lirinë e tyre individuale dhe barazinë para ligjit, pastaj edhe në të gjitha aspektet e tjera që e bëjnë BE një krijesë të pazakontë politike.
E solla për të thënë se për ne shqiptarët ka qenë më e thjeshtë dhe mbetet më e thjeshtë pse-ja e domosdoshmërisë së të qenit anëtarë të BE. Është të qenit përfundimisht të lirë nga hija e historisë sonë dhe se liria jonë individuale dhe barazia para ligjit nuk do të jenë më një atribut i lëvizshëm në varësi nga kush qeveris këtu në Tiranë. Lidhur me arsyen pse jemi këtu sot, kjo bëhet më e qartë në këtë sfond ku jeton dhe merr frymë BE. Qysh prej nisjes së punës së komisionit që kujtoj se u shoqërua me konfuzion dhe teori konspiracioni që preken edhe miqtë përfaqësues të komunitetit demokratik këtu në Tiranë, është shumë interesante se si Tirana ka kapacitetin të infektojë miqtë që vijnë nga vende të ftohta, me shijen e thashethemeve dhe kjo bëri që komisioni të hyjë në një fazë, që nga një anë ne besonim shumë në dobinë e tij, ekzaktësisht në funksion të një fjale që është fjala konsolidim, i të gjithë këtij procesi të bërë në funksion të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, përmes mirëqeverisjes në tërësi dhe qysh prej 27 Majit kur komisioni ka nisur punën ne sot jemi në një nivel tjetër. Kemi hapur dy grupkapituj dhe kemi ambicien të hapim të tjera dhe jemi pozicionuar më mirë se asnjëherë në të gjitha renditjet evropiane në fushën e mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se Shqipërisë i duhet ta shfrytëzojë këtë derë që i është hapur për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pasi kjo derë mund të mbyllet.
“U përmend këtu vlerësimi i Greco për parandalimin korrupsionit, vlerësim që na ngjiti në 18 vende. Vlerësim që nga ana tjetër u bë edhe nga Sigma që na vendosi qartësisht si një vend lider në rajon për aministrimin e financave publike, prokurimin publik, koordinimin e politikave…
Për Shqipërinë si një nga 8 vendet në 137 vende të botës me progresin më thelbësor në dekadën e fundit në aspektin e qeverisjes dhe në tërrësi një vlerëim që ne na thotë shumë për të na inkurajuar, por nuk na pengon që të këmbëngulim në një pikë, konsolidimi i domosdoshëm i gjtihçkaje që është në proces. Për këtë arsye na duhet BE. Në na duhet të hyjmë në atë derë që është hapur sot si një mundësi aktuale. Një derë që është hapur me premisën që deri në fund të 2027 ne të mbyllim negociatat dhe si një derë që mund të mbyllet nëse ne nuk jemi të shpejtë”, deklaroi Kryeministri.