Drejtori i Policisë Bashkiake në Lezhë, Leonard Pali është kallëzuar penalisht në Prokurori për fyerje dhe dhunë të ushtruar ndaj tre punonjësve të kompanisë së internetit. Kanë qene tre punonjësit që kanë bërë kallzimin penal ndaj Palit.
Në kallëzimin penal shtetasit Ndue Pjetri, Ervis Figuri dhe Fatbardh Media kanë deklaruar se rreth orës 10:00 të datës 11.06.2022 kanë qenë duke punuar për të instaluar kabull të fibrave optike. Në këtë moment afrohet dhe ndal makinën Policia Bashkiake dhe ka dalë Leonard Palaj duke iu thënë “prap këtu ju”.
Pjetri thotë se Drejtori i Policisë Bashkiake në Lezhë e ka fyer me fjalë të rënda madje dhe e ka kapur dhe i ka grisur rrobat.
“A u kemi thënë mos punoni më, lini punën dhe filloi duke na sharë. Unë Ndue Pjetra, pasi tha mos punoni u ula për të prerë tubin për të ndaluar punën dhe ky polic bashkiak më ka fyer me fjalë të rënda dhe më kapi për rrobash dhe mi grisi. Përdori fjalë fyese si “halabakë”, “b*thq*ra”, “ju tërheq zvarrë”, dhe shumë fjalë të tjera të rënda që e kemi ndjerë veten të poshtëruar prej tij”, tha Ndue Pjetri.
Por, e kontaktuar për këtë çështje nga Ballkan web ditën e ngjarjes, zyra e shtypit ne Bashkinë Lezhë pretendon se kompania në fjalë ka shkelur ligjin, duke kryer punime pa leje dhe nuk ka bërë asnjë kërkesë për zgjatje afati të lejes në bashki.
Sipas tyre në rastin e fundit kompania ka kryer punime përgjatë trotuarit të Kunës në kanalin e hapur pa marrë asnjë konfirmim dhe pa asnjë të drejtë për shfrytëzimin e punimeve të bëra për qëllime të linjave elektrike.