Ndërtimet pa kriter dhe pa plan ndër vite zhdukën çdo sipërfaqe të gjelbër në Durrës. Lulishtja në hyrje të qytetit bregdetar është zaptuar në pjesën më të madhe të saj nga lokalet, ndërsa çdo vit e me tepër pronarët e tyre zënë hapësirat e fëmijëve. Ashtu sikundër kjo lulishte që është drejt zhdukjes, dy lulishtet që ndodheshin pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve u zhdukën tërësisht nga harta e qytetit.

Bari u zëvendësua me beton, ndërsa pemët me tendat e lokaleve. Të njëjtin fat ka edhe lulishtja e lagjes numër 17. Operatori i DurrësLajm sjell pamje nga kjo lulishte që vetëm emrin po mban të tillë. Dikur nga më të mëdhatë në qytet, sot nuk ka mbetur asgjë. Edhe lulishtja “1 Maj” në qytetin bregdetar u shkatërrua për t’i hapur rrugën një sërë ndërtimesh mbi të.

Të tillë fat pësoi edhe lulishtja në qëndër të qytetit. Bredhat shumëvjeçarë të sheshit “Liria” u zëvendësuan me palma, ndërsa gjelbërimi dhe lulet me pllaka mermeri. Babëzisë së ndërtimit nuk i shpëtoi as lulishtja pranë Torrës Veneciane si dhe ajo në hyrje të portit detar. Vënia në zbatim e projektit “Veliera” fshiu nga harta gjithçka.

Qytetarët flasin për mungesë të hapësirave shplodhëse dhe argëtuese për të rritur dhe fëmijë. Pa gjelbërim Durrësi po shndërrohet në një qytet ku është e vështirë të jetohet. Me pamjen që ka marrë i shkon për shtat shprehja: Na ishte dikur Durrësi i gjelbëruar!

K.H.