Nga Fatos Çoçoli

28 shtator 2015 – Një shoku im përkthyes i regjistruar (pra, zyrtar) ishte bërë xhind këto ditë. Vjehrri i kishte liruar një dhomë në katin përdhes ku banonte dhe shoku im kishte 13 vite që bënte punën e përkthyesit të autorizuar pranë disa noterëve. Lehtësohej nga shpenzimi kryesor që ishte qiraja dhe siguronte një jetë me të ardhura të mesme. Tani tatimorët e lagjes i kishin kërkuar vjehrrit të paguante 15 për qind të shifrës 200 mijë lekë të vjetra në muaj për qiranë e dhomës që ia jepte falas dhëndrit. Sepse 200 mijë lekë rezultonte shifra dymbëdhjetë metra katrorë të dhomës herë koeficientin e qirasë për metër katror në zonën ku banonte vjehrri.

Qiratë në vendin tonë në tërësi, në gjithë këto 26 vite tranzicion, pothuajse asnjëherë nuk kanë kaluar nga syri i shtetit. Duke munguar shteti dhe autoriteti i tij, ekonomia jonë gradualisht u kthye në ekonomi rentiere, pra e pasurisë së dhënë me qira. Një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve, sapo u bë me një apartament të dytë, apo privatizoi një garazh apo magazinë, e dha me qira. Po kështu bënë ata që kishin një tokë në qytet, por edhe shumë në fshat. Për 15-18 vite rresht qiratë e marra ishin bazuar kryesisht në marrëveshjen e fjalës së dhënë (marrëveshje xhentëlmenësh, si quhet në gjuhën e zanatit) mes qiradhënësit dhe qiramarrësit. Pastaj kaluan pothuajse të gjitha në zyrën e noterit. Noteri gjithnjë të thoshte, sa herë shisje diçka apo caktoje qiranë, që të shënoje në kontratë shumën minimale të mundshme, për t’i dhënë sa më pak shtetit, në pamundësi për ta shmangur.

Në periudhën e rritjes së vrullshme të kapitalit në Shqipëri (1993-2007), qiratë përbënin rreth 300-350 milionë euro xhiro në ekonomi çdo vit dhe në 90 për qind të tij, i gjithë ky vëllim të ardhurash nuk tatohej. Çfarë solli e gjitha kjo? Krahas humbjes në buxhetin e shtetit të të paktën 30 milionë eurove taksë mbi të ardhurat në burim, parajsa fiskale me qiratë e ktheu një shtresë të mirë të shqiptarëve në parazitë, në lendlordë, në llafazanë kafenesh, që konsumonin një pjesë të qirave të patatuara. Këta dhjetëra mijë shqiptarë u kënaqeshin parave të fituara pa derdhur një pikë djerse, si dhe “zgjuarsisë” së tyre që paguanin noterë për t’iu shmangur bukur detyrimit fiskal.

Ja përse ende 80 për qind e qirave që lëvizin në Shqipëri nuk kalojnë nëpërmjet pagesave bankare, sepse atje menjëherë do të tatoheshin. Por tani vjehrrit të shokut i kishin thënë se do të gjobitej me pesë milionë lekë të vjetra, nëse nuk kishte letrat në rregull. Kjo bisturi ishte e domosdoshme në zonën e shqiptarëve me të ardhura të mesme ose të larta, pse askush nga ata që luftojnë për bukën e gojës nuk është i pasur mjaftueshëm për të lëshuar një pronë me qira. Këta që janë të parët në ankime e tentativa për t’i dhënë ryshfet nëpunësve të shtetit, përbëjnë dhe pjesën më parazitare të shoqërisë sonë, pse me kohë u ka ikur dëshira për punë dhe sipërmarrje dhe u është zëvendësuar me llafazanërinë e kafeneve pas një gote apo dy të rakisë. Për të nxitur aftësinë e marrjes përsipër të riskut dhe të sipërmarrjes, njëlloj sikurse bëhet në vendet e zhvilluara, të ardhurat jo nga puna, sikurse janë të ardhurat nga dhënia në përdorim e kapitalit, pra nga qiratë, mund edhe të kishin një taksë pak më të madhe se 15 përqindëshi i tatimit mbi të ardhurat personale që është sot.

Nëse kjo taksë bëhej 20 për qind, disa rentierëve të sotëm mund t’u dukej më me dobi të lëviznin e të investonin vetë në pasurinë që deri tani e kanë dhënë me qira. Një gjë është shumë e dukshme. Më në fund, autoriteti i shtetit erdhi dhe në zonën ndër më të errëtat dhe më të abuzuarat me detyrimet e shenjta fiskale: në tregun e qirave në Shqipëri, që ka qenë si në Perëndimin e Largët teksan “There was a time ago” (Na ishte njëherë…), ku shtetin e zëvendësonte revolja në brez. Këtë risi të sotme në ekonominë tonë si qytetar e përshëndes, edhe pse më vjen keq për shokun tim që do t’ia paguajë ai 30 mijë lekëshin e vjetër në muaj vjehrrit për qiranë e supozuar në dhomën ku punon. Më vjen ligsht për mijëra biznese të vogla, që do ta kenë shumë më të vështirë tani, të dala tërësisht në diellin djegës të syve të shtetit, që të mbijetojnë.

Ja përse pres nga qeveria e vendit tim, kjo e sotmja, që do të arkëtojë më shumë para me këtë shtrëngim të domosdoshëm fiskal që po kryen, që të parashikojë për vitin fiskal 2016 programe të shumta të mbështetjes së të vetëpunësuarve, bizneseve familjare, në zonat me pak popullsi ose me popullsi të varfër. Të parashikojë programe të mbështetjes së punësimit, vetëpunësimit, biznesit familjar, biznesit të vogël, zejtarëve, fermerëve, nxitjes së përpunimit të produkteve bujqë­sore e blegtorale. Po e bëri këtë, kjo bisturi e fortë mbi tregjet informale të vendit do të kalojë me më pak plagë shoqërore.

Marrë nga “Shqip”

/portali DurresLajm/