Mjekët e familjeve në qarkun e Durrësit prej disa kohësh po përballen me një urdhër absurd duke i detyruar që të punojnë orë shtesë në reparte të ndryshme të spitalit, përveç punës që bëjnë në qendrat shëndetësore. Për këtë arsye ka reaguar konfederata e qarkut Durrës, duke kërkuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik dhe ajo e spitalit që ta anulojnë këtë urdhër.
Zija Alhysa, kryetar i konfederatës qarku Durrës, është shprehur se me këtë rast është shkelur kodi i punës se mjekët dhe nuk duhet të bëjnë më shumë se 40 orë punë në javë.
Mjekët shprehen se kjo gjë është e paligjshme dhe nuk duhet të shkojë një mjek familjeje në urgjencë pediatrie apo reparte të tjera të spitalit. “Na kanë kërcënuar me vërejtje nëse nuk do shkojmë”, thonë mjekët.
Konfederata ka bërë një peticion drejtuar ministres së Shëndetësisë për të hequr urdhrin në fjalë si dhe vërejtjet që iu janë dhënë mjekëve deri tani. Sekretari i përgjithshëm i Konfederatës së Shqipërisë, Petrit Frangu, shprehet se “Urdhri në fjalë është i paligjshëm dhe do bëjmë të pamundurën ta anulojmë atë”.





