Ka degjeneruar në përplasje dhe përleshje me policinë protesta e qytetarëve në Kukës kundër tarifimit për Rrugën e Kombit. Protesta ka nisur në orën 11:00 në afërsi të sporteleve ku do të paguhet taksa për të kaluar në Rrugën e Kombit, ndërsa qytetarët kanë bllokuar qarkullimin duke u përplasur me policinë.
“U nisëm për protestë paqësore, por na provokuan”, thonë banorët që kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin e mjeteve.
Në protestë ndodhen Këshilltarët e Bashkisë nga të gjitha partitë politike, shoqata “Biznesi për Biznesin”, banorët e Kukësit dhe pushteti vendor. Në Kukës ndodhen forca të shumta të policisë nga Shkodra, Lezha dhe Tirana, pasi numri i protestuesve është i lartë.
Protestuesit kërkojnë heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, ndërsa të pranishëm ndodhen edhe qytetarët nga Kosova.
TAKSA E RRUGËS SË KOMBIT
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro





