50 familje në lagjen nr.17 të Durrësit, në zonën e ish-Kënetës, ankohen për infrastrukturën rrugore mjaft të rënduar.

Një banor i kësaj zone ka sjellë në redaksinë e DurrësLajm foto nga rruga “Danubi”, në të cilën mbizotërojnë gropat e mëdha përgjatë gjithë këtij aksi, uji dhe balta, që janë shoqërues të përhershëm të familjeve që jetojnë aty.

Në të njëjtën kohë, krahas infrastrukturës shumë të degraduar, për komunitetin e banorëve shqetësim më vete përbën edhe një varrezë makinash, që u pengon rrugën për të shkuar në shtëpi.

“Na u ka nxi jeta, kemi frikë me ik në shtëpi se kemi një varrezë makinash, që na bllokon rrugën çdo natë. Rruga është copë-copë dhe kanali që ka ngel hap është gjithnjë burim infeksionesh. Është bo 20 vjet që jetoj në Durrës, si kanë vendos dorë fare. Të gjitha i kanë shtru, vetëm rrugicën e lagjes sonë se kanë bo. Jemi 50 familje, që kalojmë çdo ditë në këtë rrugë”,– shkruan banori i zonës.

Në një kohë, kur e gjithë vëmendja e strukturave shtetërore është përqendruar tek dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, 50 familjet që banojnë në rrugën “Danubi” kërkojnë të mos harrohet aksi i tyre nga bashkia, por të përfshihet në infrastrukturën rrugore që do të rikonstruktohet me fondet e buxhetit të vitit të ardhshëm.