Në Durrës, gjatë një takimi me të rinjtë, kreu i qeverisë Edi Rama ka komentuar zgjedhjet e 11 Majit. Ai bëri thirrje që të rinjtë të hedhin votën për partinë që ofron pasaportën europiane, duke ironizuar gjithashtu opozitën.

Sipas Ramës, opozita ka arritur maksimumin e saj në vitin 2021 dhe nuk ka më asgjë për të ofruar. Ai e cilësoi opozitën si “të mbetur pas” dhe të mbyllur në një “këneta”. Ai tha se Partia Socialiste nuk ka arritur akoma maksimumin e saj dhe që “është ende aty në fushë për t’u arritur”.

“Nuk ia vlen as të diskutojmë për ata… Nuk i kemi as përballë, i kemi mbrapa. Ata na gjurmojnë me britma dhe me gërhima, dhe ne tani të ndalojmë, të kthehemi dhe t’iu flasim atyre është pakuptim. Realisht unë kam bindjen që ata maksimumin e tyre të mundshëm e morën në vitin 2021 dhe nuk do ta arrijnë kurrë atë rezultat dhe të dalin nga ajo kënetë. Ne nuk e kemi marrë akoma maksimumin tonë dhe është atje në fushë për t’u arritur. Dhe ne do të shkojmë me sa më shumë forcë për ta rritur. Të gjithë duhet të dimë që Shqipëria do të hyjë në BE vetëm në sajë të votës më 11 Maj për PS-në dhe kandidatët e saj,” tha Rama.