Fiks Fare vijoi të denoncojë gjendjen e stacioneve të Zjarrfikëseve, ku kësaj here grupi i emisionit investigativ udhëtoi në veri të Shqipërisë.
Gjendja ishte e njëjtë: stacione pa ujë, pa mjete dhe me godina të shkatërruara! Stacioni i Krujës kishte mjete, por s’ka ujë në repart. Zjarrfikëset dhe autobotet mbusheshin në liqen.
Mjeti më efektiv ishte i vitit 1974, por ishte në remont. Mjeti i ri nuk futej dot në rrugë të ngushta dhe në male.
“Tani ne na duhet një automjet 4×4 edhe me pas mundësi edhe një stacion në Fushë Krujë”,– thotë përgjegjësi i MZSH-së Krujë.
Ai thotë se ambientet lënë shumë për të dëshiruar.
“Kjo gjendje ka qenë, unë po bëj 10 vjet. Dhomat e qëndrimit dhe tualetet janë të pa rregulluara, me pajisje të vjetra, me lavamanë betoni të para viteve ’90. Tarraca me lagështirë, kështu e kam gjetur. S’kemi kuzhinë, ushqimin e marrim me vete. I nxehim me ndonjë bombul gazi dhe kaq”,- pohon ai.
Fiksi e pyeti nëse ka apo jo ujë në stacion.
“S’kemi ujë, kur vjen për të gjithë qytetin. Kemi hidrantin dhe kur kanë të gjithë kemi dhe ne. Ne e kemi bërë zgjidhjen, se kemi një liqen këtu poshtë në Krastë dhe e mbushim me pompë. S’kemi ndonjë linjë të dedikuar për 24 orë ujë. As tani që po flasim s’kemi ujë. Nëse kemi urgjencë harxhojmë këto që kemi mbushur dhe më pas nëse do kemi nevojë i mbushim në liqen”,- thotë ai.
Shefi i Kurbinit: S’kemi mjete dhe godinë, kushte të vështira
Fiksi udhëtoi edhe në Kurbin, ku shefi i këtij stacioni tha se stacioni është si mos më keq.
“Jemi në kushtet më të vështira. Duhet përkushtim më i madh, nga Bashkia ka tendenca po s’kemi rezultat. I vetmi mjet që kemi tani është ky mjet që normalisht është për aksidente. Mban 1500 litra ujë, nuk i plotëson kushtet për ato detyra që kemi ne. Ndodhemi në pozicione të vështira për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Hidrantë ka Kurbini, po s’ka Mamurrasi. Po si do të bëjmë në pyje, duhen mjete të reja. Kemi një mjet tjetër në remont, është i vitit 1975. Më i vjetër se ne (qesh), kur i bën një shërbim se di ça i ndodh tjetër”,- thotë shefi.
Ai pranon se stacioni s’ka as mjete.
“Kemi dy dhoma në një godinë të vjetër dhe të çarë nga tërmeti. Duhet vëmendje edhe nga qeveria, unë se di ça probleme ka bashkia po përderisa s’ka stacion, ka mungesë fonde. Këtu është çarë nga tërmeti dhe se di se si do të shkojë puna. Nuk mund të jetë një stacion zjarrfikës në këto kushte. S’di çfarë të them tjetër. Unë mendoj që, s’duhet ta them atë, që ndonjëherë të vjen rëndë që ti drejton diçka që … ti lodhesh shumë nuk merr asnjë gjë. Në disa raste ndihemi keq para qytetarëve”,- përfundon shefi i MZSH-së.
Stacioni i Lezhës në banesë, zjarrfikësit ndërrohen jashtë!
Zjarrfikëset e Lezhës qëndrojnë në një stacion të improvizuar, në një banesë të pa rikonsruktuar, të pa suvatuar dhe lyer. Zjarrfikësit qëndrojnë në katin e parë, dollapët e ndërrimit janë në katin e parë të hapur dhe pa muraturë. Shoferi i zjarrfikëses thotë se stacioni ka 4 mjete, një MAN që e kanë në servis.
“Këto mjete që janë në punë janë të 1974-ës dhe 1975-ës, të vjetra. Këto mbajnë nga 2 ton ujë. Autobot s’kemi. Ne këtu jemi me qira. S’kemi stacion këtu. Edhe mjete na duhet. Ambientet s’i bëjmë dot më të mira apo më të keqe”,- thotë ai.
Madje, edhe dhomat e ndërrimit të zjarrfikëseve janë në qiell të hapur.
Shefi i Shkodrës: S’kemi staf, problem shoferët
Ndërkohë, shefi i Zjarrfikëses së Shkodrës ankohet për staf. Sipas tij, ligji thotë të kemi 100 veta në punë në bazë të popullsisë. Aktualisht, ata kanë rreth 33 vetë.
“Ligji e ka parashikuar 1 zjarrfikës për 1500-2000 banorë. Shkodra ka 204 mijë banorë. Punojmë me efektivitet 28 % të ligjit, kemi bërë kërkesë në Drejtorinë e Përgjithshme. Ne po kërkojmë të shkojmë te 50 % të ligjit”,– thotë ai.
Më tej pohon se të gjitha mjetet që ka aktualisht ky stacion, kanë ardhur donacion.
“Nga shteti asnjë gjë, presim. 78 vite që është krijuar shërbimi zjarrfikës në Shqipëri, në Shkodër s’ka ardhur automjet i ri”,– thotë ai.
Më tej pohon se problemi kryesor është me shoferët.
“S’kemi shoferë. Ligji dhe VM-ja jona na e pengon të marrim shofer që e njohin zanatin se ligji thotë deri në 30 vjeç. Po tani të hipi një shofer i ri në zjarrfikëse, e ka të vështirë. Ka çuna të ri që marrim patentat po vijnë këtu dhe s’dinë ku ka filtrin e naftës, pompaçinën. Nuk gjejmë shoferë, kemi 3 vjet që kemi nxjerrë njoftimin”,- pohon ai.
Grupi i Fiks Fare udhëtoi edhe në Bashkinë e Vaut të Dejës. Stacioni është shumë larg qytetit, ndërkohë që të gjitha mjetet kishin ardhur dhuratë.
Zjarrfikësja në Dibër, një autobot i embargos me Jugosllavinë!
Fiksi shkoi edhe në Dibër, ku shefi i Stacionit të Zjarrfikëses thotë se kanë një mjet të viteve ’90.
“Nuk është fare funksional, pasi nuk futet në male. Edhe maloret mezi i ngjit. Nuk shkojmë dot më shpejt në vatrat e zjarrit. Në male jo e jo. Patëm një zjarr të madh në Parkun e Lurës, zgjati disa ditë po s’kishim me çfarë të shkonim deri atje. Këtë mjetin e kemi sajuar si zjarrfikëse. Na ka ardhur pasi është sekuestruar që nga embargoja e naftës me Jugosllavinë,. E improvizuam si zjarrfikëse, por s’është funksional. Kemi një mjet nga Kosova 4X4, po s’ka ujë. Vetëm transporton zjarrfikësit për të shuar me mjete rrethanore në pyje”,- përfundon shefi.