Nacionalizmi është një temë shumë e diskutuar në çdo hapësirë të mendimit dhe veprimit politik, shoqëror, kulturor e ideologjik. Rreth viteve ‘80-‘90 shumë studiues mendonin se kjo dukuri ishte duke shkuar dalëngadalë drejt zhdukjes, e hedhur tej nga marshimi i modernitetit, njësoj si zhvillimi i teknologjisë ka nxjerrë nga përdorimi, bie fjala, lokomotivën me avull, duke e bërë të mbetet thjesht një ilustrim muzeal i një epoke të superuar teknologjike. Sipas tyre, globalizimi është “teknologjia” më e fundit që krijon aspiratat për një botë të re, pa ndarjet dhe konfliktet nacionale, duke rindezur edhe njëherë pas marksizmit ëndrrat utopike për një rend botëror. Në fakt kjo nuk duket se po ndodh në të paktën dy dekadat e fundit, gjë që evidentohet tashmë nga shumë studiues të kësaj fushe. Nacionalizmi po rishfaqet fuqishëm në skenën e ndërveprimit shoqëror, duke habitur, trembur apo ekzaltuar njerëz të shumtë anembanë globit.

Indrit Nina:Çdo të thotë sot të jesh nacionalist? A e ruajmë dhe e forcojmë identitetin tonë duke jetuar jashtë apo asimilohemi në shtetet ku jetojmë dhe humbasim performancat nga vijmë? Na krijohen mundësite të kemi edhe ne në vitet që pasojnë lobingjet shqiptare që do të influencojnë në kancelaritë e mëdha për Shqipërinë? A është mirë të jesh nacionalist sot?  Referuar Oscar Wildes që thotë: " Nacionalizmi është streha e fundit e batakçinjve, ç’mendim keni? A qëndron kjo thënie? A ka nacionalizëm lokal, ose të lokalizuar?

Eugerta Tola: Ndoshta të gjithë ju që jetoni jashtë mund të jepni opinione më të drejta. Për ne që jetojmë këtu, nacionaliteti është pjesë e bashkëjetesës së përditshme. Personalisht jam më afër tolerancës dhe përqafimit të kulturave gjithashtu dhe respektimit të vlerave që me krenari duhet t'i mbartim dhe t'i trashëgojmë, por edhe pranimit të të metave. Tek kjo e fundit ndalem dhe vë theksin!

Iljaz Bajraktari:Të jesh nacionalist nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi për ne sot është një detyrë imperative. Ka shumë faktorë ndërkombëtarë, të cilët janë sot në favor të shqiptarëve dhe sipas mendimit tim kurrë nuk kanë qenë më shumë se sot. Dashuria për tokën tënde, vendin ku je rritur, për nënën dhe babain tënd, për popullin tënd, për historinë e kombit tonë është forma më e mirë e nacionalizmit pozitiv. Nacionalizmi shqiptar nuk shpreh supermatësin tonë, por vetëm dashurinë tonë. Kjo e dallon nacionalizmin tonë nga të gjithë llojet e nacionalizmave dhe gjëja më e bukur është kur një pjesë e madhe e emigrantëve edhe pse janë rregulluar mirë jashtë, akoma e mendojnë vendëthin e tyre. Nacionalizmi lokal i shërben nacionalizmit kombëtar, duke pasur parasysh që dhe një pjesë e kombit është pjesë e së tërës. Nuk ka asgjë të keqe të mendosh për qytetin tënd. Ne këtu në Durrës jemi rritur dhe nuk ka person që të ketë lindur në Durrës që të mos e dojë Durrësin ashtu siç ka dhe persona që e dashurojnë marrëzisht.

Eugerta Tola: Ndoshta të gjithë ju që jetoni jashtë mund të jepni opinione më të drejta. Për ne që jetojmë këtu, nacionaliteti është pjesë e bashkëjetesës së përditshme. Personalisht jam më afër tolerancës dhe përqafimit të kulturave gjithashtu dhe respektimit të vlerave që me krenari duhet t'i mbartim dhe t'i trashëgojmë, por edhe pranimit të të metave. Tek kjo e fundit ndalem dhe vë theksin! Mendoj se pa dashje po kalojmë në një dyzim të të arsyetuarit. Është e vërtetë që jemi pjesë e së tërës, por kur bëhemi lokalistë nuk e kemi më atë qëllim, përkundrazi ecim symbyllurazi nëpër disa kufinj të padukshëm që mendja jonë nuk ka pse t’i shohë.

Edmond Fejzullai:Nacionalist dhe atdhedashës janë dy gjëra të ndryshme. Nacionalizmi sot nga bota moderne shihet si një rrezik, sepse shpesh është shfrytëzuar nga kokat e nxehta për konflikte të përgjakshme, ndërsa atdhedashuria për çdo njeri që vlerat kombëtare i ka të shenjta është detyrë. Përndryshe quhesh renegat. Nacionalizmi është ideologjia që lindi në vitet '800, e cila e përcakton kombin si një bashkësi homogjene me vlera tipike kulturore dhe shpirtërore. Në fillimet e saj kjo ideologji pati karakter pozitiv në prishjen e perandorive multinacionale (austro-hungareze dhe otomane) dhe krijimin e shteteve të unifikuara gjermane dhe italiane. Më pas u kthye në një ideologji gjithnjë e më agresive, duke u kthyer në politikë zyrtare me lindjen e partive ultra nacionaliste, nacional-socialiste dhe fashiste nga ku lindën 2 luftëra të përgjakshme dhe mbi 70 milion viktima. Me dekolonizimin e botës nacionalizmi u bë religjioz duke sjellë fondamentalizmin me gjithë pasojat e tij. Në fund të shekullit  XX etno-nacionalizmi solli të tjera krime në ish-Jugosllavi e Çeçeni, si dhe organizata dhe lëvizje separatiste e radikale shpesh të dhunshme si IRA irlandeze, ETA baske, PKK kurde, lëvizja marksiste nacionaliste batasuna, e majta radikale katalonjës, lega nord, partia nacionaliste skoceze etj. Ja pse bota e përparuar e quan të superuar këtë ideologji, ja pse nacionalizmi e patriotizmi janë dy gjëra të ndryshme. E para të çon në rracizëm dhe intolerancë, e dyta të bën të duash vendin tënd, jo thjesht kombin.

Adrian Gorana:Sipas një fjalori francez me reputacion, nacionalizmi është: 1) Një doktrinë dhe aksion politik që synon pavarësinë e një kombi, kur ai ndodhet nën dominimin e huaj. Nacionalizmi gjithashtu mund të kërkojë të mbrojë një kulturë të shtypur, ose të mohuar. 2) Nacionalizmi në sensin "dominues" është një ideologji politike që i jep përparësi kombit mbi të gjitha konsideratat e tjera në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë sens, nacionalizmi e gjen origjinën e vet në frikën e shkaktuar nga rreziqet e jashtme apo të brendshme. Ajo pastaj çon në një izolim të caktuar kthimin në sistemin e vlerave mbi të cilat kombi është themeluar. Përkufizimi i parë nuk është aktual për ne. Askush nuk po kërkon të na pushtojë, përkundrazi po kërkojmë me forcë të madhe "të pushtohemi" nga familja e bukur e Evropës. Përkufizimi i dytë të çon drejt izolimit dhe krenarisë së tepruar. Personalisht preferoj të punoj për ruajtjen e vlerave dhe traditave kombëtare, por termi nacionalist më duket se nuk i përshtatet dëshirës sime.

Syrja Kurti:Të jesh nacionalist, do të thotë të duash vendin tënd. Të jesh nacionalist, do të thotë të jesh kombëtar dhe unë jam i tillë. Çdo vend dhe komb ecën dhe zhvillohet në sajë të ndjenjës kombëtare. Nëse unë them se të gjitha trojet shqiptare duhet të bashkohen në një shtet të vetëm dhe kjo quhet nacionalizëm, nuk ka asgjë të keqe, sepse është kombëtare të duash vendin tënd. Nëse unë them se bashkë me Kosovën të bashkohen me Shqipërinë si: Nishi i Serbisë, Budva e Malit të Zi, ose Selaniku, atëherë unë nuk quhem më nacionalist, por shovinist. Pra të mbrosh atë që është e jotja është detyrë e çdo shqiptari dhe unë do ta bëj këtë gjithë jetën, le të më thonë nacionallist, ose çfarë të duan tjetër. Por ama asnjëherë nuk do të kërkoj atë që nuk është e imja, sepse kjo pastaj është shovinizëm. Për ta ilustruar më mirë këtë që unë po them po jap një shembull aktual. Skocia ka qenë bashkë me Anglinë që në shekullin XVI, që në kohën kur mbretëresha Elisabetë, vari në litar Mary Stjuart-in e Skocisë. Duke qenë pjesë e perandorisë britanike, për 500 vjet, nëse nuk do të ishin nacionalist, do të ishin asimiluar, por ata mbetën kombëtarë me gajdet dhe fustanellat e tyre. Në sajë të ndjenjës kombëtare të tyre, sot Anglia është detyruar të pranojë referendumin e tyre për pavarësi, për shkëputje. Pra, ky është nacionalizmi për mua. Të dua kombin dhe vendin tim, kushdo qoftë ai. Nëse do të ngremë zërin kur këto vlera dhe tradita shkelen, jemi brenda kornizës apo jo? Për shembull kur shteti fqinj (Greqia në rastin konkret), kërkon të marrë me makinacione dhe manipulime 300 km katrorë det, ku do të kalojnë tubacionet ndërkombëtare të gazit, duhet të bëhemi kombëtarë besoj. Dhe kur një shtet tjetër fqinj (Serbia në rastin konkret), kërkon të mbajë me çdo lloj mjeti diplomatik, politik, banditesk gjysmën e Mitrovicës, sepse atje është një minierë, e cila ka minerale të çmuara, të cilat nuk i ka gjithë Evropa, përsëri duhet të bëhemi kombëtarë. Dhe kur deklarojnë publikisht së kurrë nuk do ta njohin Kosovën si shtet dhe kurrë nuk do të kërkojnë falje për genocidin e bërë. Dhe kur një shtet tjetër (Maqedonia në rastin konkret), shtyp shqiptarët dhe i mbyll edhe shkollat ku mësohet shqip, duhet të jemi dhe këtu pak kombëtarë. Pra të gjithë fqinjët tanë na kanë mohuar dhe shtypur kulturën dhe kur kanë mundur na kanë shtypur dhe fizikisht, madje dhe duke na përzënë nga trojet (genocidi çam dhe kosovar). Dhe gjithnjë kemi qenë në rreziqe të jashtme (të stimuluara dhe nga brenda nesh, sepse këtu shërbëtorët dhe mercenarët gjenden me shumicë), dhe na kanë çuar në këtë lloj harte ku më shumë ka territore jashtë se brenda kufijve shtetërorë dhe na kanë rrudhur brenda 28 mijë kilometrave katrorë. Madje dhe këtu nuk duan të na lenë rehat dhe këtu duan të na zhubrosin akoma. Nuk pretendoj se e kam të vërtetën absolute me vete dhe mund ta kem gabim, por ky është mendimi im. Personalisht për mua të jem nacionalist është kostumi im i preferuar.

Fatmir Lazo:Ka dy lloj nacionalizmash. I pari është ai që quhet "nacionalizmi çlirimtar" dhe është pikërisht ai që Syrja Kurti dhe Adrian Gorana kanë treguar. Pra kur kombi është i sunduar, shohim qartë këtë lloj nacionalizmi. I dyti quhet "nacionalizmi dominator, sundues" që krijon një ideologji politike që i jep rëndësinë kombit. Ky lloj nacionalizmi mbështetet në frikën e "armikut të jashtëm ashtu si dhe të brendshëm", duke krijuar kështu një lloj izolimi ( duhet t'ju kujtoj diçka apo jo) nga ky lloj nacionalizmi (ksenofobia, anti semitizmi) dolën fashizmi, dhe komunizmi. Sistemi ynë ishte një sistem nacionalist. Pra nëse e para duket e nevojshme për një komb e dyta nuk ka asnjë lloj dobishmërie. Gjatë luftës së dytë botërore u ndeshën ballë për ballë këto dy lloj nacionalizmash. Në njërin krah ai i racës superiore dhe përballë ata që luftuan për çlirim e vendit, të Europës. Duke qenë vetë i huaj detyrimisht që nuk mund ta pranoj nacionalizmin, por nëse do të flitej për atdhedashuri, kjo është gjë tjetër. Shumë herë ngatërrohen të dyja. Pra, Parti=atdhe. Patriotizmi është ai që na bën ne krenarë. Në patriotizëm çdo veprim, çdo gjë bëhet për atdhe. Ka patriotizëm ekonomik, atë që bëjnë shumë nga shqiptarët jashtë. Të vish dhe të kalosh pushimet në Shqipëri, pra të harxhosh paranë atje, ky është një lloj patriotizmi. Sa për nacionalizmin lokal mendoj se kjo gjë nuk duhet të ekzistojë. Pastaj, çdo të thotë nacionalizëm lokal? A nuk është ky një lloj racizmi? Sa herë kemi dëgjuar që na mbytën "malokët" në Durrës. Të duash vendin tënd do të thotë që çdo gjë që bën e bën për atë qytet, për të sjellë një zhvillim. A nuk është një shembull "forumi vetë"? Kultura, pastërtia, mirësjellja. Ja pra, kjo është!