Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëherësh edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Nasip Naço ka shpjeguar votën pro ngritjes së komisionit hetimor për veprimtarinë e organeve shtetërore për lëvizjet e popullsisë në Kukës.
Deputeti i LSI-së ka sqaruar se nuk ka pasur një vendim të grupit për të votuar pro ngritjes së komisionit hetimor ndërsa shtoi se ai personalisht është pro ngritjes së çdo komisioni hetimor.
Sipas tij duhet të hetohet lëvizja e popullsisë ndërsa ka shtuar se nëse Partia Demokratike është transparente duhej të votonte pro ngritjes së komisionit hetimor.
Ndërkohë mazhoranca parlamentare rrëzoi kërkesën e PS për ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e organeve shtetërore për lëvizjet e popullsisë ne Kukës. Kërkesa e socialistëve mori 62 vota pro, përfshirë edhe 3 votat e Ilir Metës, Lefter Kokës dhe Nasip Naços të LSI-së. Ndërsa Vangjel Tavo abstenoi. Kundër votuan 69 deputetë e pjesës tjetër të mazhorancës.
Opozita ka ngritur dyshimin se pushteti lokal ka organizuar zhvendosjen e banorëve drejt 5 komunave në Kukës me qëllimin e vetëm, ruajtjen e një mandati deputeti. Por e kundërshtojnë këtë akuzë duke theksuar se PS po synon të krijojë një alibi për humbjen elektorale të radhës.