TIRANE, 10 prill 2013 – Deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Nasip Naço akuzoi Partinë Demokratike se duke nisur nga sot ka nisur manipulimin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri.

Deklarata erdhi pasi Komisioni i Ligjeve votoi me votat e maxhorancës lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho.

“Rrotacioni politik sot është i domosdoshëm. Ky veprim cënon zgjedhjet. Po përgatitet infrastruktura për manipulimin e zgjedhjeve. Sot kanë filluar të manipulohen zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri”,- tha Naço.

Në të njëjtën kohë ai e cilësoi tërësisht të jashtëligjshme kërkesën e dorëzuar sot nga Partia Demokratike.

“Është e paligjshme nuk është në përputhje me ligjin, ne jemi për balancim politik të KQZ-së, por ligji ka kaluar dhe anëtarët janë numëruar. Zëvendësimi i tij mund të bëhet vetëm kur jep dorëheqjen, kur merret me aktivitet politik apo kur nuk shkon më shumë se dy herë në KQZ. Vetë KQZ është ajo që bën propozimin. Edhe juristët e PD nuk e mbronin dot, sepse nuk përdorën argumenta ligjore”,- tha Naço.

Ndërkaq Partia Republikane, tashmë si forcë e dytë qeverisëse në maxhorancë ka propozuar dy kandidatura për anëtarë të saj në KQZ, Klement Zgurin dhe Patriot Çobo. Kërkesa është lexuar në Komision, në nisje të mbledhjes, nga deputeti Gent Strazimiri.

Kundër kërkesës janë shprehur deputetët e PS-së, të cilët kanë deklaruar se me këtë hap shuhen shpresat për proces zgjedhor me standarde.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/