TIRANE, 11 tetor 2013 – Debate të ashpra në mbledhjen e Këshilit të Lartë të Drejtësisë, ku diskutohej emërimi i disa gjyqtarëve. Ministri i Drejtësisë Nasip Naco deklaroi se sistemi i drejtësisë është me probleme, ndërsa kërkon vlerësim të dytë për gjyqtarët në mënyrë që mos bëhen pjesë e korrupsionit. KLD hedh poshtë kërkesën, Bujar Nishani apeloi të mos hidhet baltë në mënyrë kolektive, pasi njollosen edhe gjyqtarët të cilët janë kurajozë e profesionalë në punën e tyre.“Nuk meriton trupa jonë gjyqësore që të hedhim baltë ndaj saj”. Kështu është shprehur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke shtuar se gjithsesi, është e vërtetë që kjo trupë ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe reformë të pandërprerë. 

“Nuk meriton trupa jonë e gjyqësorit, gjyqtarët tanë të hedhin baltë pa fund dhe pa arsye. Gjyqtarët dhe sistemi ynë gjyqësor kanë shumë probleme, kanë nevojë për reforma të pandërprera. Në trupën tonë të gjyqtarëve me më shumë se 300 persona, ka edhe gjyqtarë që përfshihen në akte korrupsioni apo që u kanë mohuar drejtësinë qytetarëve dhe që nuk kanë marrë kualifikimin e duhur. Por në këtë trupë ka edhe njerëz të ndershëm, ka profesionistë të mirë, ka njerëz kurajozë, që çdo ditë zhvillojnë seanca dhe japin dënime të ndryshme”, apeloi ai. 

Për të shtuar më tej, se nuk mund të barazohet kurrsesi, kurajozi me të korruptuarin. 

“Ka gjyqtarë të cilët larg familjes së tyre, ofrojnë shërbimin e nevojshëm të drejtësisë ndaj qytetarëve shqiptare. Prandaj KLD-ja, politika dhe gjithë institucionet e këtij vendi, kanë detyrimin të angazhohen në reforma që rrisin transparencën e sistemit gjyqësor dhe që i japin integritetin figurës së gjyqtarit. Nuk është korrekte që me pa të drejtë, të njollosen përditë të gjithë gjyqtarët e Republikës”, theksoi Nishani lidhur me një fakt të tillë. 

Ne mbledhje diskutoi dhe Naco i cili tha:

“Si ministër i Drejtësisë në cdo rast do kërkoj zbatimin e ligjit dhe sidomos nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do kërkoj zbatimin e ligjit. Pra duhet të jemi korrekt ne në zbatimin e ligjit”.