Të ankoruara në kalatë, megjithëse kushtet metereologjike janë mjaft të përshtatshme për peshkim.
Kjo është situata e trishtë e pjesës më të madhe të anijeve të flotës së peshkimit në Durrës. Rritja e ndjeshme e çmimit të naftës e ka bërë thuajse të pamundur funksionimin normal të këtij sektori, ndërkohë që heshtja institucionale e thellon edhe më shumë krizën e peshkatoreve.
“Duke parë që prodhimi është shumë i ulët sepse me afrimin e stinës së verës detyrimisht bie dhe me çmimin e naftës shumë të lartë po ndikojnë negativisht në punën tonë. Me daljen e anijeve në det dhe kthimin e ekuipazheve nuk po arrijmë të sigurojmë rrogat e punonjësve. U bë kohë që është krijuar një hendek i hapur mes flotës së peshkimit dhe ministrisë nga e cila varemi”,- deklaron kreu i sindikatës së peshkimit Klodian Kapiti.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Arben Kaja, pronar anijesh peshkimi: “Ne harxhojmë të paktën 40 litra naftë në orë. Nafta ka vajtur aty ku s’mban më, çmimi i peshkut është po ai. Të gjitha këto barka ndaj nuk dalin në det, vetëm për shkak të çmimit të naftës.”
Nga 160 anije që përbëjnë flotën e peshkimit, vetëm gjysma e tyre ushtron aktivitetin. Dhe si për të mos mjaftuar ngërçi i krijuar nga çmimi i naftës, një taksë e re për komunikimin me radio pritet të rëndojë edhe më shumë barrën fiskale që rëndon mbi këtë sektor.
“Një tjetër problem që është krijuar në mënyrë të papritur është një taksë e re që i është vënë flotës së peshkimit në të gjithë vendin. Ajo kap vlerën 430 mijë lekë të vjetër çdo vit për komunikimin me radio. Kjo taksë nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk ekziston në asnjë vend”,– thotë Kapiti.
Afrimi i sezonit turistik rrit ndjeshëm kërkesën për produktet e detit. Në kushtet e uljes së sasisë së peshkut në det dhe problematikave të theksuara të sektorit të peshkimit, tregu rrezikon të mos plotësojë të gjitha nevojat e klientelës për peshk të freskët në muajt në vazhdim.
M.B.